Home > SHQIPËRIA

Veliaj sulmon Dukën: E mjerueshme për FSHF-në që të rrihemi edhe në shtëpinë tonë nga ekipe modeste

Veliaj sulmon Dukën: E mjerueshme për FSHF-në që të

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se beteja për futboll të pastër, që fëmijët të ndjekin ëndrrat e tyre me talent dhe pasion, vazhdon ende. Gjatë një takimi me lojtarët e klubit të Tiranës, të cilët do të marrin 150 milionë lekë si shpërblim pasi u shpallën për të 26-ën herë Kampion të Shqipërisë në futboll, shtoi se në Tiranë s’mund të investojë vetëm bashkia për futbollin.

Veliaj nënvizoi se nuk mund të ndodhë që të kemi klube futbolli, të cilat punojnë në të zezë dhe me llogari të bllokuara, borxhe e gjyqe. “Kjo duhet zgjidhur njëherë e mirë, ndaj kur i futem betejave në sport, nuk i futem për një emër të përveçëm. Nuk është çështje emrash, por parimesh. Në qoftë se dikush nuk punon dot në të zezë në fasoneri a në piceri, atëherë as në futboll nuk duhet të punojë njeri në të zezë. Sigurimet shoqërore duhen paguar. Ndaj, duhet t’i çojmë deri në fund këto beteja. Është e mjerueshme sot për Federatën Shqiptare të Futbollit, që të mundemi në shtëpinë tonë nga ekipe modeste, ndaj kjo duhet parë, edhe ku shkojnë këto financa”, tha ai.

Duke përmendur ndeshjen e UEFA Conference League që u zhvillua në Tiranë, Veliaj tha se bashkia nuk u kursye, duke shpenzuar mbi gjysmë milionë dollarë për organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit më të rëndësishëm të futbollit për qytetin, por ai theksoi se po kaq duhet të kishte harxhuar edhe Federata Shqiptare e Futbollit.

Veliaj theksoi se megjithatë, investimet nga bashkia për sportin do të vijojnë, siç janë fushat te pishinat te Diga e Liqenit, apo hapja e palestrave në shkollat e reja, fusha e Laprakës dhe ato në Kombinat, të cilat janë në dispozicion të fëmijëve të talentuar për t’u bërë dikushi në futboll.

Flash News

News24 Livestream