Home > SHQIPËRIA

Urdhër-arrest nga Amerika, Interpol Tirana vë në pranga shtetasen/ Ja vepra penale që rëndon ndaj saj

Urdhër-arrest nga Amerika, Interpol Tirana vë në pranga

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë/Zyra e Hetimeve Kriminale (DSS/OCI e Ambasadës Amerikane në Shqipëri) dhe me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, kanë bërë lokalizimin dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt SHBA-së, të shtetases L. H.

Arrestimi i saj është bërë nisur nga kërkesa e ardhur nga ana e Departamentit Amerikan të Drejtësisë, për arrestimin e përkohshëm të saj, me qëllim ekstradimin nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane, pasi Gjykata e Distriktit Jugor të Kalifornisë ka lëshuar urdhër-arrestin ndërkombëtar më datë 28.07.2021, për kryerjen e veprës penale “Komplot për kryerjen ose pjesëmarrjen në një organizatë përmes aktivitetit shantazhues”, parashikuar Kodi Penal i SHBA-së.

Mbështetur në Traktatin Dypalësh të Ekstradimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u realizua arrestimi i kësaj shtetaseje, me qëllim ekstradimin e saj nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Drejtësisë, është duke kryer të gjitha veprimet ligjore për ekstradimin drejt Shteteve të Bashkuara.

News24 Livestream