Home > SHQIPËRIA

Tjetërsoi truall në bregdet dhe falsifikoi dokumente, arrestohet biznesmeni në Sarandë, ishte shpallur në kërkim që nga 1 qershori (EMRI)

Tjetërsoi truall në bregdet dhe falsifikoi dokumente, arrestohet

Qafë-Botë, ndalohet biznesmeni Behar Muçobega. 40-vjecari u kthye nga Greqia sot në orët e para të mëngjesit, ishte person në kërkim prej 1 qershorit të këtij viti pas operacionit të Prokurorisë së Sarandës ku u lëshuan 9 urdhër arreste për zyrtare të ASHK, Bashkisë, biznesmenë e qytetarë lidhur me tjetërsimin e 9920 m2 truall në bregdet. Behar Muçobega akuzohet për “falsifikim dokumentash”, dyshohet si një nga përfituesit e një pjese të truallit.

Gazetarja Shpresa Dine raportoi për BalkanWeb se vetëm brenda pak orësh nga ndalimi, Muçobega ka dalë para Gjykatës së Sarandës, ku ndaj tij gjyqtari Shkelzen Liçaj ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Nga operacioni i 1 qershorit u arrestuan 6 persona dhe u shpallën në kërkim 3. Gjykata liroi 5 nga të arrestuarit duke vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” ndërsa në burg ka ngelur vetëm noteri Aleko Anagnosti. Në kërkim vazhdon të jetë ish-Drejtori i ASHK Sarandë Ardian Kola si dhe biznesmeni Bedri Muçobega, vëllai i të ndaluarit të sotëm.

Nga 4 operacione të Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK në 6 muajt e fundit janë lëshuar 20 urdhër arreste për zyrtarë, biznesmenë e qytetarë. Nga të gjitha këto urdhra vetëm 4 ndodhen aktualisht në “Arrest në burg”, 10 janë në “Arrest në shtëpi” dhe 6 janë persona në kërkim. Nga këto operacione është sekuestruar në total 10.599 m2 truall dhe një pallat 7 katësh. Veç këtyre prokuroria mbajti disa kohë nën sekuestro edhe një zyre noteriale ku grumbulloi dokumentacion lidhur me hetimet.

Pas operacioneve të prokurorisë, dy nga zyrtarët që aktualisht ndodhen në burg, u sulmuan edhe nga elemente kriminale. Zyrës noteriale të Aleko Anagnostit iu vu zjarr 5 ditë pas arrestimit të tij, ndërkohë që automjeti i ish-juristit të ASHK Sarandë Laert Pasha u sulmua pak ditë më parë duke iu thyer xhami, çarë gomat e lyer me sprajt.

Flash News

News24 Livestream