Home > SHQIPËRIA

“Shqiptarët qëndrestarë dhe frymëzues”, ambasadorja Kim në “Open”: Axhenda jonë është të përqendrohemi te…

“Shqiptarët qëndrestarë dhe frymëzues”,

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim foli sot ekskluzivisht në “Open” të Eni Vasilit në News 24 për 100- vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Ajo u shpreh se shqiptarët janë një popull qëndrestar dhe kanë frymëzuar botën duke kaluar nga komunizmi në një vend anëtar të NATO-s.

Eni Vasili: Gjithnjë një moment interesant ai i politikës për të folur me ambasadoren amerikane, por unë dua ta filloj ndryshe. Unë dua t’ju pyes për 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk dua të flas aq shumë për politikën e ditës, dua të flas sigurisht për diplomacinë,  në mënyrë të veçantë. Siç po thosha, ky vit shënon 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veç të tjerave, ky është edhe një rast për të bërë një bilanc të këtyre marrëdhënieve, apo jo?

Ambasadorja Kim: Mendoj se është e mrekullueshme të jem ambasadorja amerikane teksa mund të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri. Siç e dini, vitin e kaluar, festuam 30 vjet që nga rivendosja e marrëdhënieve. Dhe nëse hedhim një vështrim tek 100 vitet si dhe tek 30 vitet, mendoj se të dy palët, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kemi arritur vërtet shumë. Mjafton të shohësh vetëm 30 vitet e fundit; kur bisedoj me miq që e njihnin Shqipërinë në vitin 1991 dhe iu përshkruaj se çfarë po bëjmë bashkë tani, në vitin 2022, e kanë të vështirë ta besojnë. Do t’ju jap vetëm pak shembuj. Në vitin 1991, siç e dimë të gjithë, Shqipëria ishte një nga vendet më të varfra në botë dhe në ato 30 vjet, ndërsa Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste, mendoj se populli shqiptar e ka provuar veten se është qëndrestar dhe kanë frymëzuar botën me vendosmërinë e tyre. Prandaj u shpreha kur arrita këtu që programi ynë këtu, agjenda jonë është që të përqendrohemi tek demokracia, mbrojtja dhe biznesi. Pra, jeni çliruar nga diktatura komuniste; institucionet e demokracisë dhe ligjit, sundimi i ligjit, janë instaluar dhe po punojmë për t’i forcuar sa më shumë mundemi. Ju keni kaluar nga një vend i varur në një vend që është anëtar i NATO-s në 2009, një vend që është në pragun e Bashkimit European dhe, nga 1 janari i këtij viti, një vend që ulet në krah të Shteteve të Bashkuara, Kinës, Rusisë, Francës, Britanisë së Madhe, si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ky është një kapërcim i madh. Dhe sigurisht çështja e dytë është mbrojtja. Dhe në 30 vjet, 100 vjet, kemi kaluar nga një diktaturë komuniste e mbyllur ndaj botës, tek Shqipëria që tani mirëpret forca të SHBA, duke filluar nga ky vit. Ndaj, ky është një ndryshim historik.

Më pas, së fundi, biznesi. Disa nga bizneset më të mëdha po vijnë në Shqipëri. Mund të flasim më vonë për këtë, por janë të përqendruar tek energjia tani dhe shoh edhe fusha të tjera që po hapen, përfshi teknologjinë. Kështu, kemi hidrocentralin e Skavicës, nuk është punë e mbyllur ende, por duket shumë mirë; kemi Vlorën, termocentralin që do të sjellë gaz të lëngshëm. Këto kanë implikime të stërmëdha për rolin e Shqipërisë në rajon, jo thjesht nga aftësia e Shqipërisë për të siguruar energji për veten, por edhe për kontributin e Shqipërisë në rajon si eksportuese neto e energjisë dhe sigurisë së energjisë.

Flash News

News24 Livestream