Home > SHQIPËRIA

Protesta "AlbControl"/ Zbardhen bisedat mes kontrollorëve: Mua dhe Lolën na pushuan, e prekën fundin...

Protesta "AlbControl"/ Zbardhen bisedat mes kontrollorëve: Mua

Prokuroria k nxjerrë urdhër ndalimi për 3 nga kontrollorët që në shenjë proteste pezulluan aktivitetin e tyre çka solli bllokimin e fluturimeve.

Në procesverbalin për ndalimin e të dyshuarit Muhin Mezini, thuhet se ndalimi u krye me iniciativën e policisë për shkak të gjendjes së ngutshme sepse ai ka rrezik ikjeje dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim.

Më 7 prill në Prokurorinë e Tiranës është depozituar materiali kallëzues i dërguar nga Shoqëria Albcontrol sh.a., si dhe materialit kallëzues të referuar nga shërbimet e policisë gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, me anë të së cilës janë kallëzuar penalisht shtetasit Flora Ndreca, Muhin Mezini dhe Armando Fezga, si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, si këqyrja e aparatit celular në posedim të shtetases Flora Ndreca është konstatuar se kjo shtetase ka komunikuar nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” me shtetasin Gersi Spaho, të cilit më 6 prill ora 21:12 i shkruan se “mua dhe Lolën na pushuan, se kemi dhënë dorëheqje të gjithë, por shyqyr që u kujtuan të bëhen bashkë, e prekën fundin”. Në datë 6 prill, ora 10:50 shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar shtetasit Olsi Petri nëpërmjet aplikacionit “WhatsApp” foto të formularit “në 12 jam aty”.

Në datë 6 prill ora 10:49, shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar kontaktit të regjistruar me emrin Ezi, foto të formularit të paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij, ndërsa bashkëbiseduesi Ezi i përgjigjet “e mira është të shkruash më shkurt”. Nga përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes tyre në vijim, del se shtetasi Muhin Mezini e orienton shtetasin Ezi për mënyrën e përpilimit të formularit të paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij.

Ndikimi i shtetasit Muhin Mezini me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror tek shoqëria “Albcontrol” sh.a. tek vartësit e tij për plotësimin e formularëve të paaftësisë së përkohshme në punë, provohet edhe nga deklarimet e shtetasve Emiljano Majani, Erion Alibali dhe Erjon Kristafi. Gjithashtu nga deklarimet provohet se shtetasit Flora Ndreca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrim ligjor për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin e rëndësisë së veçantë.

Kryerja e këtyre veprimeve në datat 6 prill dhe 7 prill kanë sjellë pasoja duke nxjerrë jashtë funksionit kullën dhe aeroportin “Nënë Tereza” Tiranë duke mos bërë të mundur uljen dhe ngjitjen e avionëve. Këta shtetas me veprimet dhe mosveprimet e tyre, në bashkëpunimin me njëri-tjetrin kanë sjellë pasoja të rënda në dëm të shtetasve (udhëtarëve) si dhe personit juridik.

Të ndaluarit iu bë e ditur se në bazë të nenit 255 të K.Pr.Penale, ka të drejtë të ketë mbrojtës se nuk ka detyrim të bëjë deklarata dhe në qoftë se do të flasë, çfarëdo që ai thotë, mund të përdoret ndaj tij në gjykim. Ndërsa i ndaluari Mezini kundërshton pretendimet e ngritura në procesverbal.

News24 Livestream