Home > SHQIPËRIA

Prestige siguron çerek finalet në ‘Urban Cup’, mund serbët 7-0 dhe 2-0 malazezët në ditën e parë

Prestige siguron çerek finalet në ‘Urban Cup’, mund

Në Sofje të Bullgarisë ka startuar dje eventi Urban Football Cup 2021, kompeticion ndërkombëtar i futbollit 8×8, me 16 skuadra nga shtete si Bullgaria, Belgjika, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Izraeli, Mali i Zi dhe Serbia. Skuadrat shqiptare në këtë event janë Prestige dhe Çamëria.

Prestige e ka nisur mbarë aventurën në Grupin D, teksa në ditën e parë i ka fituar të dyja takimet, ku në ndeshjen e parë ka mposhtur malazezët e Podgoricës me rezultatin e pastër 2-0, ndërsa në takimin e dytë shkatërroi me rezultatin 7-0 ekipin serb Kidalice.

Ndonëse ka edhe një takim në Grupin D, teksa sot në orën 16:00 do të përballet me skuadrën bullgare Thrakia, Prestige tashmë e ka siguruar kualifikimin mes 8 më të mirave.

Sfida e parë ndaj Podgoricës ishte e fortë dhe shumë e luftuar, pasi malazezët kishin një skuadër me përgatitje të mirë fizike. Megjithatë, Prestige tregoi një nivel më të lartë se kundërshtari duke dominuar në pjesën më të madhe të kohës. Prestige i zhbllokoi shifrat në pjesën e parë me anë të Shimës, i cili “vodhi” një top në zonën kundërshtare dhe e dërgoi më pas në rrjetë.

Në pjesën e dytë Xhepaj i mbylli llogaritë, duke realizuar golin e dytë, pas një asisti të marrë nga Rapo. Kapiteni Fatmir Hysenbelliu, ndryshe nga sa e kemi parë zakonisht, u aktivizua si mbrojtës i fundit, kjo për shkak të mungesave që Prestige kishte në prapavijë.

Megjithatë, ndonëse jo në rolin e tij natyral, ai e realizoi me sukses, me Prestige që nuk u dha shanse kundërshtarëve. Në ndeshjen e dytë të zhvilluar në mbrëmje, Prestige triumfoi me goleadë 7-0 ndaj skuadrës serbe Kidalice. Një takim me sens unik, të cilin Prestige e ktheu si një seancë stërvitore. Organizimi i shkëlqyer i Prestige edhe një herë tjetër bëri diferencën në fushë. Protagonistët e golave ishin Shima, autor i një triplete, Xhepaj, Vasha, Limani dhe Kurpali.

Kujtojmë që mbrëmjen e sotme do të luhen edhe ndeshjet çerekfinale, ndërsa nesër do të vijohet me gjysmëfinalet, takimin për vendet 3-4, si dhe finalen e madhe. Ndërkohë, Çamëria, skuadra tjetër shqiptare që merr pjesë në kompeticionin Urban Football Cup 2021, regjistroi dy humbje gjatë ditës së djeshme. Në takimin e parë u mund 1-0 nga skuadra Ecos, ndërsa në sfidën e dytë u mposht me rezultatin 3-1 nga ekipi KCM 2000.

News24 Livestream