Home > SHQIPËRIA

Presidenti Meta reagon për grevën e kontrollorëve të Albcontrol: Mesazh shumë i gabuar dhe lënie nervash nga të dyja palët, pas takimit me kontrollorët i jam drejtuar me shkresë Ramës

Presidenti Ilir Meta ka dalë sot në një konferencë për mediat, në lidhje me grevën e kontrollorëve të Albcontrol. Kreu i shtetit theksoi se kjo situatë, nga njëra anë bllokimi i punës në aeroportin e Rinasit dhe deklaratat nga qeveria, janë një lënie nervash nga të dyja palët.

Ai tha se ishte njohur me këtë problematikë të Sindikatës së Kontrollorëve Ajrorë, ndërsa për t’u informuar më mirë i ka pritur ata në një takim më 31 mars.

Sipas Metës, pas 10 mujash pritje, Sindikata nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Mes të tjerash ai nënvizoi faktin se iu kishte kërkuar kontrolorëve që kishte pasur në takim që mos të linin në asnjë moment punën, duke rrezikuar hapësirën tonë ajrore.

“Është një mesazh shumë i gabuar dhe një lënie nervash nga të dyja palët. Prej më shumë se 10 muajsh Sindikata për Kontrollorët Ajror ka ngritur pretendimet e saj zyrtare dhe me shkresa, jo ndaj zyrtarëve, por edhe ndaj institucioneve të tjea dhe partnerëve ndërkombëtar dhe institucioneve ndërkombëtare. Ato janë të vëmendshme për të gjitha situatat që lidhen me sistemin ajror. S’ka pasur dialog mes përfaqësuesve të ministrisë dhe Sindikatës. Duke parë situatën si pa zgjidhje, duke dashur për t’i dëgjuar drejtpërdrejtë, në 31 mars i kam pritur në një takim. Ata nënvizonin faktin se të drejtat e tyre ishin cënuar, në bazë të kontratave të veçanta dhe kundërshtonin pezullimin e të drejtave të fituara për një periudhë të pacaktuar. Prej më shumë se 10 muajsh sipas tyre s’kishin marrë asnjë përgjigje sipas ligjit nga institucionet dhe pretendimet. Jemi drejtuar pjesërisht ministres së Infrastrukturës, Albcontrol, dukë vënë në dijeni dhe partnerët ndërkombëtar, se kjo situatë duhej pasur me vëmendje, pasi mund të mbarte rreziqe të mbarëvajtjes së hapësirës ajrore. Sidomos në kushtet kur do të nis dhe përgatitja e stërvitjes së përbashkët mes NATO-s, ku trafiku ajror në vendin tonë do të rritet ndjeshëm. I kam kërkuar me përgjegjshmëri të plotë dhe i kam bërë apel kontrollorëve që të vazhdonin punën pa ndërprerje, pasi hapësira territoriale është çështje jetike.”, tha Meta.

News24 Livestream