Home > SHQIPËRIA

“Përveç Rozanës, kamerieres bionde italiane, aty këndonte Brixhilda dhe 5 balerina hungareze, që joshnin elitën aristokrate…”, të pathënat e lokalit të famshëm në Tiranë

“Përveç Rozanës, kamerieres bionde italiane, aty

Nga Tirana e vjetër sot ka mbetur pak ose aspak. Kanë mbetur vetëm emra në kujtesë. Që nga “Kursali”, lokali i famshëm në nyjen që lidhte Rrugën e “Durrësit” me të “Kavajës”, ku shkonte elita e kryeqytetit, e veshur shik dhe flokë të lyer me brilantinë, tek hotelet dhe restorantet me famë, përpara vitit 1945. Si kanë qenë, kush i frekuentonte e si u zhdukën nga harta e Tiranës?! Një kthim pas në kohë për nostalgjikët por edhe brezat e rinj që do të donin të dinin më shumë për kryeqytetin e fillim shekullit XX-të.

Nga Tirana e vjetër sot ka mbetur pak ose aspak. Kanë mbetur vetëm emra në kujtesë. Që nga “Kursali”, lokali i famshëm në nyjen që lidhte Rrugën e “Durrësit” me të “Kavajës”, ku shkonte elita e kryeqytetit, e veshur shik dhe flokë të lyer me brilantinë, tek hotelet dhe restorantet me famë, përpara vitit 1945. Si kanë qenë, kush i frekuentonte e si u zhdukën nga harta e Tiranës?! Një kthim pas në kohë për nostalgjikët por edhe brezat e rinj që do të donin të dinin më shumë për kryeqytetin e fillim shekullit XX-të.

“Kursal” është një fjalë nga gjermanishtja dhe ka kuptimin e “dhomë kurash” (Kurhaus”), një ndërtesë rekreative, tipike e arkitekturës së Europës Veriore në shekullin e XIX-të, që shërbente kryesisht si qendër shëndetësore. Krejt ndryshe, lokali me famë i Tiranës, ndonëse me emrin e huazuar “Kursal”, i ndërtuar rreth viteve ’30-të, ishte një ndërtesë njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të një arkitekture të stilit japonez.

Ai kishte një sallë të madhe në katin e parë veri-jug, me rreth 20 tavolina, me një kapacitet modest deri në 100 persona, me banak ballor, ku nuk servirej në këmbë, por vetëm ulur. Salla ishte e modeluar në mënyrë moderne për kohën, me perde damasku të butë me ngjyrë vishnje, që e lidhnin në mes dhe dyshemenë me pllaka me mozaikë. Një hyrje e vogël në krah për t’u futur fillimisht në lulishten e madhe të tij, pastaj me pak shkallë gjysmë harku në verandën që mbulohej me disa tenda që në kohë vere frekuentohej gjerësisht.

“Kursal”-in e kompletonte lulishtja në formë trekëndëshi, me shtrirje drejt lindjes, e rrethuar me kangjella të ulëta, me një shatërvan të vogël, që kishte në qendër statujën e një djali me një peshk në dorë, si dhe këndin e vendosjes së biçikletave, një hardhi me lule të bukura e aromë, ndërsa jashtë “Kursalit”, një ishte një cigareshitës. Në Tiranë, në rrugën “Xhemal Pashë Zogu”, ekzistonte një tjetër “Kursal”, por ai shërbente vetëm si restorant.

Lokali më i preferuar i Tiranës

“Kursali” ishte kafe publike, serioze, e respektuar dhe universale, ku njerëzit jepnin e merrnin kulturë nga sjelljet, veprimet dhe bisedat që shoqëronin diskutimet e tyre. Në “Kursal” shkonin politikanë, deputetë, zyrtarë të lartë, bankierë, mjekë, intelektualë, pronarë, sportistë, artistë, të huaj të ardhur nga vende të ndryshme, njerëz me preferenca të ndryshme, kryesisht si filo-gjermanë e filo-italianë, të cilët kishin studiuar dhe ishin diplomuar në këto vende, si dhe tregtarë apo ish-tregtarë shqiptarë e italianë, që vinin për punë në Tiranë.

Ai frekuentohej edhe nga punonjësit e Bashkisë, ata të Bankës Shqiptare, kryesisht për marrëveshje pune, përfshirë edhe punonjësit e Radio-Tiranës, kur punonin me zyra provizore në godinën e Bashkisë. Përveç faktit që ishte në qendër të kryeqytetit, “Kursalit” i jepte rëndësi, frekuentim e popullim edhe fama si një kafe e stilit europian, me disiplinë e rregull. Ai kishte personel të kulturuar e klientëve u servirej me profesionalizëm të lartë.

Kamerierët shërbenin të veshur me kostum të zi, jelekë, këmisha të bardha dhe fjongo o papion vishnje, si ngjyra e perdeve. Në mjedisin e tij të brendshëm e të jashtëm nuk servirej vetëm kafe, por gjithçka, pasi në “Kursal” gjendeshin të gjitha pijet e Europës, nga shampanja, vera, uzoja, birra, lloje të ndryshme të likereve të eksportuara, por edhe pije shqiptare, kryesisht raki, birrë, si dhe ëmbëlsira, biskotina etj. Pijet nuk kushtonin shumë, pasi kishin çmime me standardin e kohës. “Kursali” shfrytëzohej edhe si pikë takimi ose vendi ku niseshin taksitë apo mjete e vogla të kohës për në qytete të tjera.

Edhe filma në sallën e “KURSAL”-it

Te “Kursali” janë shfaqur edhe filma, kur në tetor të 1945-ës salla që merrte deri në 180 shikues, u kthye në “Kinema-Kursali”, një kinema e kategorisë së dytë, e cila improvizohej duke hequr tavolinat, dhe karriget rregulloheshin në drejtim të ekranit. Por, duke qenë sallë e ngushtë, aparatet e filmit krijonin vështirësi dhe ishin afër spektatorëve. Me kërkesat e spektatorëve, në vitin 1945, shfaqeshin filmat e njohur të atyre viteve, bashkë me dokumentarë shqiptarë si “Shqipëria”, realizuar me ndihmën e specialistëve jugosllavë dhe më pas atyre sovjetikë, me muzikë të Kristo Konos e Dhora Lekës.

Kinema “Kursal” u mbyll pas pak kohësh pasi nuk plotësonte kushtet, si dhe i mungonin dhomat e tualetit, aparatet ishin për kinema të mëdha etj., por edhe për faktin se aty do të vendosej Sport-Klub “Tirana”. Në vitin 1938, në kafe “Kursal” u hap një sallon i veçantë për shkollë dansi, nga prof. Stathi dhe në mjediset e tij janë hapur ekspozita pikture të artistëve shqiptarë, si Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Andrea Kushi, etj.

“KURSALI” i pokerit të famshëm….!

Edhe për këtë fakt, “Kursali” ka qenë i njohur e mbetet unik, pasi aty është luajtur edhe bixhoz, si para viteve ’40-të dhe pas ’45-ës, por me kufizime, deri kur u ndalua me ligj. Në pjesën perëndimore, “Kursali” kishte 6 dhoma, një labirinth i vërtetë që mbylleshin me perde, për të mos u parë nga të tjerët ku luhej. Aty shkonin deputetë, ministra, ushtarakë, federalë, tregtarë shqiptarë e të huaj, personel të trupit diplomatik, të konsullatave të akredituara në Tiranë, që luanin sistematikisht bixhoz dhe loja e preferuar ishte pokeri, pastaj bilardoja, deri në shah, domino, si lojëra të asaj shtrese që zotëronte kulturë e preferenca europiane.

Kishte raste që njëra nga kullat nuk funksiononte ose mbyllej, pasi përdorej për ato që luanin bixhoz me kohë apo ditë të zgjatura. Përveç dy kullave për poker, në një paradhomë qëndronte një noter, si një person-garant për shumat në të holla që personat luanin. Bixhoz aty kanë luajtur të gjithë, por tregtarët ishin ata më aktivët, duke përdorur të gjitha monedhat e kohës, si dhe lekun shqiptar, që ishte i fortë për atë periudhë. Gjatë festave fetare, si Pashkët, Krishtlindjet apo dhe ato të Vitit të Ri, hapej publikisht loja e bixhozit si një formë ku frekuentuesit, por edhe popullsia mbarë, mund të provonin fatin. Në mjediset e “Kursalit” jepeshin dhe vizat, kryesisht për Itali.

Ballot dhe dasmat e kushtueshme

Për festat e fundvitit, sidomos për ato fetare, ishte i preferuar, por kulmi i frekuentimit të tij ishte Viti i Ri, që kishte tjetër modelim, duke organizuar mbrëmje, ballo etj. Duke mos qenë restorant, në të tilla evenimente shërbehej me katering dhe kuzhinën e sillte Lluka Papadhopulli, nga restorant “Europa”, që ndodhej përballë tij. Në “Kursal”, organizoheshin edhe dreka e darka, përvjetorë e dasma shumë të kushtueshme, të cilat zhvilloheshin edhe në oborrin-lulishte të tij, edhe për faktin që dasma të ndiqej nga qytetarët e Tiranës. Kjo, për t’u dhënë famë dhe emër atyre që martoheshin, që kryesisht ishin fëmijë të njerëzve të pasur të familjeve të njohura tiranase, kryesisht si frekuentues të rregullt të “Kursal”-it, organizonin ceremonitë e fejesave në dhomat e mjediset e rezervuara të tij.

Orkestra, me muzikë dhe dëfrim modern

Kryesisht para 45-ës, në “Kursal” praktikohej muzikë argëtuese e kohës. Në librin e tij, “Tirana 1920-1944”, shkrimtari e studiuesi i njohur, Spiro Mhilli, midis të tjerash shkruan: “Kafe-Kursal’, çdo ditë, pas orës 10:00 të mbrëmjes, organizonte baletin e famshëm dhe artistik me pesë vajza “Caprice Girls” dhe me pjesëmarrjen e orkestrës cigane hungareze, drejtuar nga maestro Mago Kololy nga Budapesti. Baleti e vallet e pesë bukurosheve hungareze, zëvendësoheshin shpesh me programe të reja. Në atë lokal interpretonte violinist i talentuar, De Mucci Riccardo. Koncertet fillonin në orën 18.00 pasdite dhe pas një pushimi, rifillonin pas orës 22.00 të mbrëmjes dhe bileta kushtonte 5 lekë (të vjetra).

Drejtori Fuat Alim dhe pronari Shefik Kondi, shpeshherë e pasuronin programin me ‘Trio-Rianda’, me danse spanjolle, tango argjentinase, këngë të ndryshme, muzikë klasike moderne që interpretoheshin nga kërcimtare, si: Anete Danau, Mimi Mihaillovna, Parru Grseden, dhe këngëtarë të ardhur nga Italia. Ditëve të diela dhe festave, programi fillonte në orën 17 e 30. Pak vite më vonë, kitarist shkoi Pjetër Gjini dhe Ali Begeja. Pronari i tij, solli kameriere një vajzë italiane që quhej Rozana, për të cilën u kompozua edhe një këngë që preferohej nga të pranishmit, që mbushnin lokalin dhe nuk kishte asnjë vend të lirë”.

Muzikë dhe pasion pa limit…!

I njëjti ritual vazhdoi në vitet që vijuan, kur muzika me orkestër ishte çdo mbrëmje, pas orës 18:00, nga e marta deri të dielën, me të hënën pushim, ndërkohë që lokali nuk mbyllej asnjë ditë. Gjatë kohës që funksiononte orkestra, duke ruajtur një traditë të hershme, çdo pije kushtonte 2 lekë më shumë dhe gota e fërnetit si pije e preferuar, vishej me sheqer.

Në periudhën e dimërit apo edhe në stinë të tjera kur ishte ftohtë, orkestra dhe këngëtari qëndronin në një podium ngjitur me banakun, ndërsa në verë ajo vendosej në këndin majtas, në verandë. Këngëtarët interpretonin këngë moderne shqiptare e të huaja, dhe ndër emrat e paharruar edhe sot nga të moshuarit kujtohet: Brixhilda, këngëtarja e bukur bionde, bashkë me Lin Ndokën, shkodranin me zërin e veçantë, kur ekzekutonte këngë italiane të kohës, Kasem Alluni, Toni Prosi, Keli, orkestrantë nga vëllezërit Skoza, Alfons Balliçi, Bahiri me saks, secili me mundësitë dhe ofertat, kanë qenë protagonistë të tij. Të gjithë orkestrantët e njohur të kohës, u kanë rënë veglave dhe kanë pasur dëshirën të performonin në “Kursal”.

Vështirë të gjeje aty, të paktën deri në fillimin e viteve ’60-të, burra me flokë pa brilantinë e cila, e trashëguar nga “koha e Italisë”, tregtohej me shishe të vogla në formë vaji dhe kishte përdorim të madh për djemtë e burrat e atyre viteve. Edhe për një kafe paradite, ose mbrëmjeve në “Kursal”, detyrimisht duhet t’i shkëlqenin flokët me brilantinë, si një tregues modern i kohës, madje në marrëdhëniet me femrat, ata ishin më të preferuar. Po kështu, edhe orkestrantët, këngëtarët… të gjithë me brilantinë.

Ndërkohë “Kursali” nuk ka qenë shumë i frekuentuar nga vajzat e gratë, që të vetmuara nuk mund të frekuentonin “Kursalin”. Por të veçantë kanë qenë edhe ata që kanë shërbyer, nga Mira, Llambi, Besimi, Kamberi, gruaja veterane Vasilika Kareco, që sot ndodhet në Greqi, e shumë të tjerë, por mbi të gjithë Kadri Morava, kryekamerieri, njeriu legjendë i “Kursal”-it, me disa dekada shërbim aty.

Kush ishte kryekamerieri Kadri Morava?

Shumë elegant, i gjatë mbi 190 cm, mbante deri në pesë kriklla birre në çdo dorë. Në “Kursal” bakshishi ishte i lartë (mbi 100 lekë) dhe kënaqësia për të paguar e ofruar dreka e darka për të ftuarit, ishte e madhe, madje aty praktikohej edhe veresie, duke i shlyer më vonë shpenzimet. Në mjaft raste, ai mbyllej pas mesnate, për t’u hapur herët në mëngjes. Dy anekset e tij, rezervoheshin nga klientët që ishin nga shtresa e shoqërisë elitare, si: mjekë, sportistë, artistë, politikanë, zyrtarë, të shkolluar në perëndim, përkthyes, publicistë, djem simpatikë të kohës, pa dyshim, nga ata me brilantinë.

“KURSALI” në kujtimet e publicistit të njohur, Gjergj Bubani

“Pak më tej, në mes të një sheshi, një kopsht i bukur dhe në çip të tij një godinë moderne: “Kursali”! Birrari-kafeana e Bashkisë, i vetmi vend pjekje i kryeqytetit arbnor, ku me elegancë shërben Marçela…….”!

Shkrimi i Gjergj Bubanit: ‘SHKEL E SHKO NËPËR TIRANË’

“Me orkestër në ‘Kursal’. Ora 17:58. Pas dy minutash pikërisht fillon orkestra dhe tingujt e saj të parë dekretojnë ipso-fackto, tarifën e dyfishuar të çmimeve. I tretur nga vapa e korrikut, myshteriu i kopshtit, zbraz deri në fund gotën e arançatës dhe thërret kamerierin. Don të paguajë sa pa u dekretuar tarifa “me muzikë”.

Por Dionisi, është tepër i zënë; kënaqet të përgjigjet me një “po vjeeen” të zgjatur, pa pasur aspak ndër mend që të vijë. Ora kalon. Muzikantët kanë zaptuar tashmë vendet e tyre dhe po kurdisin veglat. E kurdisura nuk është ende dekretim, por paralajmërim dekretimi. Myshteriu i bie tavolinës vazhdimisht, me këmbëngulje.

Dionisi nuk dëgjon, ose ka tjetër punë dhe bën sikur nuk dëgjon. Ora kalon. Violinisti u ngrit në këmbë, shpërndau pjesët e notave dhe është gati të japë shenjën e fillimit. Myshterinë fillon ta përshkojë djersë e ftohtë. Kërcen nga vendi i tij dhe sulet e i kap dorën violinistit: Scusate maestro! Voglio prima pagare io! (Më falni maestro! Dua në fillim të paguaj unë!). Nganjëherë kopshti i ‘Kursal’-it mbushet plot.

Burra të çdo grade e çdo kategorie, politikanë të mëdhenj dhe nëpunës të vegjël, venë të prehen e vazhdojnë muhabetin e prerë rreth tryezave prej kashte, duke u freskuar me nga një gotë “Sinalko”. Por… vetëm burra. Karavidhe të bëhet syri të shohësh një fytyrë femre. Në këto rrethana çdokush mund ta marrë me mend sesa të madh rol lot garsoneta, me sy shndritës dhe buzëqeshje të vazhdueshme, e ‘Kursalit’…!

Marçela është një gocë italiane, me shtat të bukur, sy shndritës dhe lëvizje ritmike trupi, garsonetë e përkëdhelur e ‘Kursalit’. Një koleg tiranas, z. Nebil Çika, i dedikoi një artikull adhurimi. Dhe me hak. Se Marçela lot në Tiranë një rol qytetërues. “Sikur të mos ish Marçela, – më thotë një ditë kolegu z. Milto Gura, – ‘Kursal’-i do të më dukej një klub pederastësh. Dhe me të drejtë”. (Gjergj Bubani, publicist, Vepra e Zgjedhur 1 dhe 2).

“KURSALI”, edhe Zyrë Adresash

Një dhomë në një korridor të vogël, në të cilën ngjiteshe me pak shkallë, në pjesën jugore midis dy kullave, për shumë vite deri kur u prish, ka shërbyer dhe ka qenë Zyra e Adresave e Tiranës, ku gjeje një punonjës që pasi kontrollonte nëpër defterët e tij, të tregonte me saktësi rrugën, numrin e pallatit apo shtëpinë, gjithçka të detajuar për personin.

Ajo qëndronte hapur thuajse gjithë ditën, deri në mesnatë. Ka qenë unikale dhe shumë e rëndësishme për kohën. Të ndihmonte të gjeje njerëzit, familjarët, kur lëvizja e tyre në atë kohë ishte kaotike dhe jo e sistemuar. Përreth “Kursalit”, majtas, djathtas e mbrapa tij, kanë qenë dhe stacionet e autobusëve urbanë që kryenin transportin e qytetarëve nga qendra për në Kombinat, Laprakë e Kinostudio dhe një zyrë dispeçeri për linjat urbane të kryeqytetit.

Lokal “EUROPA”, i pëlqyer edhe nga familja Mbretërore

Shumë i njohur për kohën, restorant – kafe­ – hotel “Europa”, me pronar Lluka Papadhopullin, ka qenë një ndërtesë dykatëshe thuajse në pjesën jugore të Pazarit të Vjetër, në krah të Xhamisë e Sahatit në qendër të Tiranës. Ndonëse Lluka, miqtë e shokët e tij ishin frekuentues të rregullt të “Kursal”-it, në mjediset e “Europës” shërbej dhe gatuhej shumë mirë, madje personeli i “Kursal”-it vinin aty për dreka e darka.

Lluka, fillimisht kishte punuar kuzhinier tek “Internacionali”, më pas te Pallati i Zogut, pasi kishte shumë miqësi me Princeshën Sanije, motrën e Mbretit Zog. Ishte ai që gatuante dhe shërbente për banketet e familjes Mbretërore, madje edhe drekën e familjes ua dërgonte ai. Pas Zogut, Llukën e morën italianët, ndërsa në periudhën e vitet të socializmit, ai ka shërbyer në ish­-Bllokun e udhëheqjes së lartë të PPSh-së. Njeri shumë i ndershëm, nga Amerika, Austria, ku mësoi artin e gatimit, pastaj në Francë para se të vinte në Shqipëri me gjirokastritin Habibi, ndërtoi hotel – kafe­ – restorant “Europa”.

“BELLA VENEZIA”, tjetër preferencë…!

Kafe “Bella Venezia”, në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ka qenë një lokal me një frekuentim intensiv në mes vitet ’60­-të ’70-të, kur mori edhe emrin Kafe-Pastiçeri “Tirana”. Me hapësirë, mirë arreduar, ajo kishte një mjedis komod e modern, ku shërbehej vetëm në katin e parë, pasi sipër ishte banesë. Aty servireshin edhe pije, ëmbëlsira e akullore. Kishte ndenjëse luksoze të larta e të veshura me mbulesa. Lokal me shumë drita e ngjyra, me një banak që ishte në ballë të tij.

Ndër frekuentuesit, ishte edhe Dhimitër Shuteriqi, (kryetari legjendar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që banonte sipër lokalit dhe aty kishte tavolinën e tij që nuk mund t’ia zinte njeri edhe kur ai nuk ishte aty), por edhe shkrimtari tjetër i njohur, Petro Marko, i cili përpara se të kthehej në apartamentin e tij, pak më tej, (diku para “Zëri Popullit”), bënte një kthesë në atë kafene.

KAFE “QENDRA”, “ILIRIA”, “DURRËSI”, SHTËPIA E OFICERËVE

Këto lokale ishin në qendër të kryeqytetit, përballë godinës së vjetër të Bashkisë, dhe ndërsa dy të parat ishin Bar-Kafe, “Durrësi” ishte hotel-restorant, ku për shumë vite para e pas lufte, grumbulloheshin skuadrat e futbollit, kryesisht ato të Sport-Klubit të Tiranës, sportistët e të cilit e kanë frekuentuar sistematikisht atë dhe më vonë ato të Cirkut dhe Estradës, si Telat Agolli, vëllezërit Arjan dhe Don Miluka, etj.

Ndërkohë, në Tiranë, një frekuentim të mirë kishte Shtëpia e Oficerëve e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, (Ish-shtëpia e Musa Jukës, ministrit të Brendshëm të Monarkisë së Zogut), ku në bodrumet salla të saj, për shumë kohë është luajtur bixhoz, por masivisht është preferuar bar-kafe­ restoranti për oficerët madhorë, më pas për shtresën e mesme qytetare dhe artistët, kur ajo u transformua në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Është periudha kur të tjera Bar-Kafe u hapën në bulevard, në qendër dhe në rrugët kryesore të Tiranës, bashkë me “Florën”, atë në katin e tretë të Pallatit të Kulturës, të hotel “Arbëria” e “Arbanës”, të 15-katëshit, (Tirana-Internacional), si dhe “Vollga”, që mbeti klasike me Bar-­Sahatin pranë saj, për të ardhurit te kafe “Rinia” (“Tajvani” sot). Sidoqoftë, ndryshimeve dhe preferencave që solli koha, “Kursali” mbetet i pari lokazino dhe modern i Tiranës së atyre viteve.

Prishjet drastike pas ’45-ës

Të pakta ishin ato emërtime që u ruajtën pas 1945-ë­s. Rrugë, sheshe, lokale, morën emra heronjsh, eksponentë komunistë, ngjarjesh dhe datash të shënuara nga periudha e Luftës Nacionalçlirimtare, duke marrë shembull nga Bashkimi Sovjetik. Goditjen e parë e dha prishja e ‘Pazarit të Vjetër’ me lokalet e gjithçka që e rrethonte, pasi në vitin 1959­ – ’60-të, aty filloi ndërtimi i Pallatit të madh të Kulturës, madje gurin e parë e vendosi vetë Nikita Hrushovi, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, që pasoi Stalinin në atë post.

Dhjetë vjet më pas, për ndërtimin e 15-­katëshit (Tirana-Internacional), u prishën të gjitha ndërtesat, lokalet restorantet në bulevard dhe në “Rrugën e Dibrës”, për t’u ndjekur nga shembja e godinës së Bashkisë që ndodhej në qendër të Sheshit “Skënderbej”. Për ngritjen e kësaj ndërtese (më pas, Komiteti Ekzekutiv i Tiranës), punimet kishin filluar që më 12 maj 1930, kur kryebashkiaku Rexhep Jella, bashkë me prefektin Rauf Fico, vendosën gurin e parë në themelin e godinës.

Punimet e asaj godine përfunduan më 1 shtator 1931, datë kur u përurua në prani të princeshave me një ceremoni në veçantë. Ajo ishte një ndërtesë stil perëndimor, dykatëshe, në harmoni me arkitekturën italiane të ndërtesave përreth. Si Bashkia, edhe “Kursal”, “Rinia”, mbijetuan deri në vitin 1980, kur për të ndërtuar Muzeun Historik, godinë e Bashkisë (asokohe quhej Komitet Ekzekutiv), u hodh në erë me dinamit, përfshirë gjithçka tjetër në pjesën lindore, duke lënë një hapësirë deri te Pallati i Kulturës “Ali Kelmendi”, ndërtesa e të cilit sot ka marrë të tjera funksione.

Pas viteve ’90-të, në Tiranë janë hapur disa lokale me emrin “Kursal”, por pa strukturën, apo arkitekturën e ish­-lokalit të famshëm. Duket se ideuesit janë mjaftuar të trashëgojë vetëm emrin, me shpresë që lokali të ketë famën dhe frekuentimin e atij mitik, që filloi dhe shkëlqeu gjatë viteve të Monarkisë së Zogut dhe periudhën e pushtimit të vendit (1939-1944), si dhe disa vite të tjera në regjimin komunist, por pa shkëlqimin e dikurshëm të saj. Memorie.al

Flash News

News24 Livestream