Home > SHQIPËRIA

Ministrja Manastirliu: Studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik

Ministrja Manastirliu: Studentët të vaksinohen përpara fillimit

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka inspektuar sot qendrën e re shëndetësore në Sarandë, nga ku bëri me dije se sot do të mbërrijnë 50 mijë doza Pfizer, ndërsa po ashtu u bëri apel studentëve të vaksinohen para fillimit të vitit të ri akademik.  

“Qendra shëndetësore në Sarandë, tashmë e rehabilituar me kushtet më të mira, falë programit të qeverisë shqiptare për rehabilimitimin dhe ndërtimin e 300 qendrave shëndetësore, ka ndryshuar tërësisht falë investimeve që ne kemi bërë, për infrastrukturën dhe për mbështetjen me të gjithë pajisjen e nevojshme. Kjo qendër ofron shërbime për më shumë se 44.000 qytetarë të Sarandës”, tha Manastirliu.

Duke ndjekur procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se ditën e sotme do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e konsiderueshme e vaksinave Pfizer, duke e çuar në mbi 1.700.000 doza totalin e vaksinave të ardhura në vend.

“Do të kemi mbi 50 mijë vaksina Pfizer që vinë sot dhe menjëherë do të shpërndahen në qendrat shëndetësore, në pikat tona të vaksinimit të përqendruar por gjithashtu ne po vijojmë punën me njësitë lëvizëse për të vaksinuar derë më derë dhe për të vaksinuar në famije, për të vaksinuar qytetarët të cilët e kanë të pamundur që të lëvizin”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë ka ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë, duke apeluar edhe studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik.

“Ne jemi të angazhuar që të vijojmë gjatë muajit gusht me vaksinimin e grupmoshës +18 vjeç, duke ndalur fokusin tek të gjithë ata të cilët janë më të rrezikuar +50 vjeç, por gjithashtu duke synuar edhe studentët, ata të cilët duhet të jenë në auditore në vitin e ri, të jenë sa më të mbrojtur, për të bërë të mundur kufizimin e përhapjes së variantit Delta dhe gjithashtu për të ulur dhe për të reduktuar rastet e rënda dhe fatalitetet”, nënvizoi Manastirliu.

Në vendin tonë deri tani kanë kryer 1,203,087 vaksinime antivCOVID. Mbi 530.000 qytetarë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Muaji gusht do të jetë muaj i hapur i vaksinimit për të gjitha qytetarët +18 vjeç, për të kryer vaksinën kudo në qendrat shëndetësore apo në pikat e vaksinimit të përqëndruar, ku secili mund të paraqitet me kartën e identitetit. Për të pamundurit, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të jenë kudo në territor për t’ju dhënë mundësinë e kryerjes së vaksinimit ndaj COVID19 të gjithë qytetarëve.

News24 Livestream