Home > SHQIPËRIA

Komiteti Teknik për situatën e COVID-19: Masat e vendosura nuk do të ndryshojnë

Komiteti Teknik i Ekspertëve mbajti sot një konferencë për media, ku zv/ministrja Rakacolli bëri me dije se do të vazhdojnë të mbeten në fuqi masat aktuale kufizuese.  Ora policore do të vazhdojë të jetë nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.

Mira Rakacolli: Kemi përmirësim të lehtë të situatës. Pavarësisht se kemi një rënie të pozitivitetit të testimit, mendojmë që masat me intensitet të mesëm kanë qenë efikase. Një nga arritjet më të mëdha ka qenë fushata e vaksinimit, jo vetëm në drejtim të numrit të vaksinimit. Shqipëria ka zënë vendin e parë në rajon për sa i përket ritmit të vaksinimit, duke ia kaluar edhe Serbisë. Megjithatë pavarësisht këtyre arritjeve situata nuk është aty ku duhet të jemi dhe nuk propozohet asnjë ndryshim masash.

Albana Fico: Pozitiviteti i mostrës vazhdon të ulet. Mesatarja e rasteve të reja ka rënë. Edhe numri total i rasteve aktive ka rënë, por ka një rritje të numrit të bashkive të vogla të prekura. Raporti midis meshkujve dhe femrave mbetet, me prekje më të lartë te femrat, me vdekje më të lartë te meshkujve. Kemi një ulje të numrit të vdekjeve këtë javë nga 70 në 55. Kjo javë përcjell një punë të jashtëzakonshme në raport me vaksinimet. Më e rëndësishme është që puna me arsimtarët, uniformat blu, gazetarët vijon derisa të përmbyllet. Kemi punuar me të gjitha fashat 70 plus dhe 80 plus. Natyrisht është momenti për të kërkuar edhe njëherë ndihmën e qytetarëve që përpos vaksinimit të mbajnë maskën, distancën, higjienën.

Skënder Brataj: Thirrjet te 127 vazhdojnë të jenë konstante. Numri i vizitave për Covid ka rënë disa. Vizitat në Tiranë me qarqet e tjera është barazuar. Kemi një rritje të vogël në qytete të tjera. Numri i shtrimeve është i ulët. Listës së qyteteve i janë shtruar 3-4 fshatra të tjerë. Përhapja e infeksioneve në zonat e virgjëra duhet të na bëjë më të kujdesshëm. Të gjitha partitë të kenë parasysh zbatimin e rregullave.

 

News24 Livestream