Home > SHQIPËRIA

INTERVISTA/ Shembja e “Prestige Resort”, ish-Presidenti kroat: Drejtësia të veprojë për këtë akt të padrejtë! Sulmi ndaj Berishës? Mesiç: Nuk është incident

INTERVISTA/ Shembja e “Prestige Resort”, ish-Presidenti kroat:

Ish-Presidenti kroat, Stipe Mesiç, e konsideron të padrejtë shembjen e “Prestige Resort” dhe apelon organet e drejtësisë që të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe të marrë vendime kundër akteve të paligjshme.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” menjëherë pas takimit me ish-Kryeministrin Berisha, Mesiç dënoi edhe sulmin fizik të bërë më 6 dhjetor ndaj kreut të opozitës. Sipas ish-Presidentit, ajo që ndodhi më 6 dhjetor nuk është një incident, por një atentat që mund të kishte shkaktuar vdekjen e kreut të opozitës pas së cilës ish-Presidenti është i bindur që qëndron dikush që nuk e do demokracinë madje nuk do as bashkimin evropian, pasi ndodhi në të njëjtën ditë kur në Shqipëri përfaqësuesit e BE-së. Ai e cilësoi këtë një akt të rëndë që kërkon reagimin e organeve të drejtësisë. Ndërkohë, sa i përket strategjisë së protestave të opozitës, Mesiç u shpreh në mënyrë të prerë se demokracia që sulmohet duhet të mbrohet.

Z. Mesiç, ju sot keni pasur një takim me ish-Kryeministrin Berisha. Besoj jeni njohur me ngjarjen që ndodhi në protestën e 6 dhjetorit, ku z. Berisha u sulmua fizikisht. Si e komentoni këtë ngjarje?

Unë nuk do ta quaja incident, por si atentat i montuar. Është njësoj, sikur një e rrahur e rëndë e rrëzon njeriun në tokë dhe njeriu duke u rrëzuar mund t’i bjerë koka në beton dhe mbetet i vdekur. Për këtë arsye, quhet atentat ndaj kreut të opozitës. Doktor Sali Berisha nuk është njeri i panjohur, por ka qenë qeveritar dhe në të gjitha pozicionet politike në Shqipëri. Është njeri që e njeh i gjithë rajoni gjithë Ballkani, Evropa dhe gjithë bota.

Çfarë mesazhi përcillet për demokracinë ku dhunohet lideri i opozitës, kur në Shqipëri ndodheshin liderët e vendeve të BE?

Mesazhi im është që ky është një sulm kundër demokracisë. Mbas këtij sulmi, me siguri qëndrojnë struktura të ndryshme. Nuk kam informacione të hollësishme se kush qëndron pas kësaj, por kjo është edhe një gjë kundër atyre liderëve që ishin atë ditë në Shqipëri, pra përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Unë nuk dua të them diçka për këtë çështje, sepse s’kam informacione të sakta, por e sigurt është se pas asaj që ndodhi qëndron dikush tjetër. E sigurt është se qëndrojnë ata, të cilët janë kundër demokracisë, kundër pluralizmit dhe kundër çdo procesi demokratik.

Z. President, një javë para se të sulmohej lideri i opozitës, Kryeministri në mënyrë të njëanshme, pa pritur vendimin e Gjykatës, vendosi të shembë një nga resortet më të bukur të bregdetit shqiptar, kjo vetëm se pronari i resortit është zotërues i një nga grupeve mediatike më të mëdha në Shqipëri dhe nuk pranon të diktojë linjën editoriale sipas interesit të qeverisë, si e komentoni këtë?

Unë nuk po futem në çështjen e brendshme të kësaj situate, por nëse Policia është e sinqertë duhet të jetë drejtësia që duhet të shqyrtojë situatën se përse ka ndodhur kjo gjë e padrejtë ndaj këtij pronari, duke shembur hotelin. Organet e drejtësisë janë ato që marrin vendime të sigurta ndaj duhet të veprojnë me transparencë dhe me shpejtësi në lidhje me shembjen e hotelit, por edhe të rastit të fundit ku u dhunua lideri i opozitës.

Z. Mesiç, ju keni qenë President i Kroacisë nga viti 2000 deri në 2010. Ju ka ndodhur që të organizonit ju konferenca pune, apo a zgjidhnit të pushonit, nëse një objekt ishte pa leje siç pretendon Kryeministri ndonëse vet e ka firmosur lejen e zhvillimit?

Shembja e një resorti vetëm se pronari i tij nuk u bindet urdhrave qeveritare për linjën editoriale të mediave që zotëron pronari i resortit, si dhe sulmi ndaj liderit të opozitës përbën një rrezik për demokracinë. Ndaj do të kërkoj që të shprehet drejtësia. Duhet ta shqyrtojnë këtë situatë dhe të marrin vendime kundër akteve të padrejta.

A mendoni se duhet të ndryshojë strategjia e opozitës me protestat pas këtyre ngjarjeve. Është sulmuar media, është sulmuar opozita gjatë një proteste paqësore. Si e gjykoni ju?

Demokracia që sulmohet, duhet të mbrohet nga institucionet. Ata duhet të jenë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë. Institucionet duhet të marrin masa të drejta dhe të barabarta. Në demokraci duhet të jemi të gjithë të barabartë.

Flash News

News24 Livestream