Home > SHQIPËRIA

Hapen regjistrimet për provimin e shtetit! Urdhri i Mjekëve: Afat deri në 21 maj, dokumentet që ju duhen

Hapen regjistrimet për provimin e shtetit! Urdhri i Mjekëve: Afat deri

Radhën për t’u futur në provimin për licencën e kanë bluzat e bardha. Urdhri i Mjekëve iu bën thirrje studentëve që kanë përfunduar studimet 5-vjeçare të regjistrohen për t’iu nënshtruar testit të radhës.

Kërkesat nisin nga sot deri në datën 21 maj pranë zyrave të këshillit kombëtar të Urdhrit të Mjekëve. Ata që testohen për herë të parë duhet të kenë me vete dhjetë dokumente, të cilat i gjeni në faqen zyrtare të urdhrit, ndërsa ata që kanë kaluar një herë në këtë proces duhet të rifreskojnë vetëm dëshminë e penalitetit, raportin mjeko-ligjor dhe vërtetimin nga prokuroria që nuk janë në ndjekje penale.

Kushti i vetëm që urdhri vendos për studentët që futen në provim shteti është përfundimi me sukses i praktikës profesionale të detyrueshme 3-mujore. Ndërsa Urdhri i Infermierëve ka vendosur të kryejë regjistrimin në formë elektronike, duke u dhënë afat të rinjve deri në datën 15 për dorëzimin e një liste të reduktuar dokumentesh.

Ndërkohë që nuk kanë nisur ende regjistrimet pranë Urdhrit të Mjekëve, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka vënë në dispozicion muajt maj dhe qershor për ta.

“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimin e shtetit në profesionin e rregulluar të mjekut, farmacistit, stomatologut, infermierit, mamisë, fizioterapistit, teknikut të imazherisë, teknikut të laboratorit dhe logopedistit, ju bëjmë me dije se provimet do të zhvillohen në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (Bulevardi “ZhanD’Ark”, nr. 23, Tiranë, ish-ATSH), përgjatë periudhës maj–qershor 2021″, citohet në njoftimin e QSHA-së. Sipas përvojës së viteve të shkuara, QSHAja mbledh listën e atyre që do të testohen nga urdhrat përkatës dhe mbi bazën e tyre harton një kalendar datash, të cilin e publikon në faqen zyrtare. Në ditët në vijim pritet publikimi i listave të pjesëmarrësve bashkë me datën dhe orën e saktë të testimit.

News24 Livestream