Home > SHQIPËRIA

Drejt fundit të mandatit, Meta: Mbajta premtimin, Presidenca si një kështjellë e pamposhtur e demokracisë

Drejt fundit të mandatit, Meta: Mbajta premtimin, Presidenca si një

Presidenti Ilir Meta teksa po afrohet data kur mbaron mandati i tij, theksoi se ndihet krenar për përmbushjen e detyrës në respekt të betimit mbi Kushtetutë.

Në një intervistë për Fax News, Meta pohoi se ai qëndroi premtimit, për të ruajtur Presidencës si një kështjellë të pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar deri më 24 korrik 2022.

INTERVISTA
Pyetje: Një Presidencë, e cila ka qenë e ngjeshur, ka qenë më gjëra interesante, me përpjekje me luftë. Por, fundi i Ilir Metës, nga ky institucion si të duket?

Presidenti Meta: Jemi në përmbyllje të një Presidence 5 vjeçare, apo më saktë mandatit të parë të Ilir Metës si President i Republikës.

Gjithçka mund të thuhet se ka shkuar sipas parashikimeve të mia dhe betimit tim mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë 5 vite më parë, në raport me përmbushjen e këtij detyrimi shumë të lart kushtetues. Kam thënë kur jam betuar, që do të mbroj interesin kombëtar, dhe këtë e kam bërë në të gjitha rastet, edhe në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm për të cenuar interesin kombëtar, ose për të mbyllur sytë përpara cenimeve të tilla, duke u bërë bashkëfajtor në heshtje. Kam mbrojtur vetëm interesin publik dhe kombëtar. Kjo është shumë evidente dhe ajo që është me e rëndësishme, në të gjitha debatet që janë hapur midis Institucionit të Presidentit dhe Parlamentit, apo Qeverisë, si në Komisionin e Venecias dhe në Gjykatën Kushtetuese, që nuk është ndonjë sekret për asnjë, që është nën ndikimin e mazhorancës aktuale, të gjitha këto beteja janë fituar nga Presidenca, që ka shkëlqyer në drejtim të kushtetutshmërisë dhe të respektimit të saj me përkushtim maksimal.

Nuk ka qenë e thjeshtë, përkundrazi. Kjo Presidencë ka pasur më pak kompetenca se çdo Presidencë tjetër e Republikës së Shqipërisë. Për fat të keq, opozita ndërmori një hap vetëvrasës, jo thjeshtë për të, se për një pjesë të mirë të opozitës dhe për lidershipin e saj ishte një hap përfitues. Por, për demokracinë në vend, parlamentarizmin, dhe institucionet e pavarura, duke djegur mandatet dhe duke ekspozuar edhe Presidentin përballë një mazhorance prej 122 kartonësh.

Për fat të keq, opozita ka bërë pikërisht atë që ka dashur mazhoranca. E ka ndihmuar dhe ja ka lehtësuar rrugën në kapjen e sistemit të drejtësisë, përmes bojkotit të reformës dhe në bojkotimin e zgjedhjeve lokale. Në kushtet e një rrethimi të plotë dhe të gjithanshëm të këtij institucioni, me një mazhorancë që kishte uzurpuar çdo institucion, ajo që unë dhashë si premtim besoj se u përmbush, që deri në 24 korrik 2022, kjo Presidencë dhe ky institucion do të vazhdoj të jetë një kështjellë e pamposhtur e demokracisë dhe e interesit kombëtar, dhe kështu do të vazhdojë deri në ditët që vijnë deri në 24 korrik 2022.

Pyetje: Mediat shqiptare në këto 5 vjet, kanë publikuar më shumë se 310 mijë lajme për Presidentin Meta, dhe duke krahasuar këtë shifër me paraardhësit tuaj, nuk arrihet kjo shifër. Çfarë trego kjo për ju?

Presidenti Meta: Nuk jam në dijeni të kësaj statistike që ju përmendet. Qëllimi im asnjëherë nuk ka qenë për të prodhuar lajm, por për të dërguar mesazhe kur ka qenë e rëndësishme, për të qenë transparent, si dhe për t’u përgjigjur çdo qëndrimi apo dezinformimi, që është shprehur në mënyrë të vazhdueshme nga mediat, shumica e të cilave për fat të keq janë të kapura nga Qeveria, në drejtim të Institucionit të Presidentit. Sigurisht që ka qenë një Presidencë shumë aktive, nëse do të kishim një funksionim normal të parlamentit dhe të demokracisë do të kishim opozitën në parlament. Pra do të kishim një balancë atje, natyrisht që nuk do të binte gjithë presioni mbi Presidentin, ku ai do të detyrohej ta përballonte këtë presion siç e ka përballuar mendoj me shumë suksese, ose do të bëhej dhe ai pjesë e një teatri me popullin e Shqipërisë dhe të heshte, për atë që po ndodh çdo ditë.

Ju këtë gjë, e shikoni çdo dite nëpër tregje, në familjet tuaja, në tryezën e bukës, kur shkoni për të blerë karburant për makinat, nëse ato ende nuk i keni mbyllur për të mos lëvizur më me automjet. Është një situatë jo normale, dhe të gjitha statistikat tregojnë që shumica e shqiptarëve janë shumë më keq se sa përpara disa viteve, sepse për fat të keq fuqizimi i oligarkëve dhe njerëzve të lidhur me pushtetin ka qenë prioriteti i kësaj qeverie.

Pyetje: Nga ju buronte ai besim, ose ajo vetësiguri absolute, si Komisioni i Venecias, Gjykata Kushtetuese dhe sulmet të jashtëzakonshme edhe nga ish-miq tuaj të ngushtë, si Spartak Braho, apo Klodiana Bushka, apo dhe miku jonë Nasip Naço, i cili dilte dhe fliste nëpër media …!

Presidenti Meta: Vetësiguria është diçka jo vetëm e lindur, por është edhe e konsoliduar, në raport jo vetëm me personalitetin dhe karakterin e një individi, por në mënyrë të veçantë dhe me zgjedhjet dhe me vendimet që ai merr. Unë në çdo rast kam qenë shumë i bindur, se vendimet e mia kanë qenë shumë të drejta dhe transparente, dhe se kanë qenë vetëm në interes të popullit shqiptar.

Unë kam qenë absolutisht i sigurt, se çfarëdo që do të ndodhte, për shembull në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen në shqyrtim, ose duhet të kishte dhënë një përgjigje që në korrik me legjislaturën e vjetër, ajo është një çështje që do të fitohej në Gjykatën Europiane për 1 sekondë. Por, kjo padyshim që do të sillte largimin automatik të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që do të votonin në mënyrë të verbër, për një urdhër politik të maxhorancës. Më thoni një çështje ku Presidenti nuk ka pasur të drejtë?

Le të marrim disa raste:
Për çështjen e zotit Lleshaj, që erdhi i propozuar për Ministër i Brendshëm, Presidenti ka kërkuar transparencë për këtë çështje nëse është apo nuk është Gjeneral?
Përgjigja i ka ardhur që nuk është, dhe se nuk ka asnjë pengesë ligjore.
Ndërkohë që mediat dhe persona me integritet paralajmëruan që kjo nuk ishte e vërtet, pra ai ishte Gjeneral.

Atëherë Presidenti, kërkon edhe një herë tjetër që kjo çështje të sqarohet dhe qeveria i shmanget!
Në këto kushte si mundet Presidenti, të bëjë një shkelje të rëndë të Kushtetutës, për të cilën me të drejtë kushdo një ditë më pas do të kishte të drejtën t’i kërkonte dorëheqjen, sepse ishte një çështje e cila ishte paralajmëruar.
Dhe Presidenti nuk e bënë këtë akt, pra nuk e shkeli Kushtetutën.

Pasi lëshohet edhe një batare e tërë sulmesh kundër Presidentit, ndodhi që mbas dy javësh Ministria e Mbrojtjes sjell kërkesën për të liruar nga detyra Gjeneralin. Pra kush e kishte përgjegjësin në këtë rast! Marrim rastin e kandidatit për ministër të Jashtëm zotit Cakaj.

Si mundet të sillet një propozim i tillë, për një individ, i cili nuk ka asnjë njohje në gjithë jetën publike, diplomatike, institucionale të vendit, që nuk ka qenë asnjëherë në Kuvend apo Komision të Jashtëm. Një individ i cili nuk është takuar asnjëherë me Presidentin, apo me përfaqësues të jetës politike, dhe në fund të fundit nuk dihet nëse ka një adresë fikse në Shqipëri. Pavarësisht nga të gjitha të dhënat që mund t’i ketë si shumë i aftë apo i talentuar. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e detit që përcaktoi edhe përgjegjësit në atë rast, si të Presidentit, të Qeverisë, të ministrit të Jashtëm në gjithë çështjet e marrëveshjeve dhe traktateve ndërkombëtare të vendit, ka disa specifika të veçanta.

Nëse ai do të hedhë një firmë diku në një mënyrë të paautorizuar, të pakontrolluar, është një përgjegjësi që ngelet përgjithmonë për vendin, në të gjitha gjyqet ndërkombëtare dhe kjo është një problem serioz. Unë e bëra të qartë se kompetencat e Presidentit të Shqipërisë, përsa i takon Qeverisë janë më të forta, se kompetencat e Presidentit të Italisë. Nëse Presidenti i Italisë ka të drejtë të mos dekretoje për një arsye të interesit kombëtar apo publik një ministër të caktuar, siç edhe bëri para 3 vitesh për një rast të caktuar, të një kandidati për ministër të Salvinit, i cili kishte vënë në diskutim qëndrimin e Italisë në euro.
Dhe Presidenti tha; ky për interes të Italisë nuk mund të jetë ministër dhe do shkojmë në zgjedhje dhe i thanë që ta emërojmë ministër diku tjetër. Presidenti i Italisë atëherë tha, dikujt tjetër po, por jo këtu.

Debatet e ndodhura, pavarësisht se nuk kanë qenë të nevojshme që të ndodhin, sepse situata ka qenë shumë e qartë.
Unë, kam qenë shumë bashkëpunues, por të gjitha këto kanë krijuar një përvojë, e cila mund të shfrytëzohet nga Presidentët e ardhshëm, në forcimin e Institucionit të Presidentit. Trashëgimia, që unë po lë në këtë Institucion, është që Presidenti është një institucion i paprekshëm, dhe super i mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Kur është bërë Kushtetuta në vitin 1998, ky ka qenë edhe qëllimi, për të mbrojtur sa më shumë Presidentin si Kryetar i Shtetit, Komandat i Forcave të Armatosura, Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe simbol i unitetit të kombit. Por, përse? Nga kush duhet ta mbrojë? Nga pushtetit, nga Qeveria.

Se kush do t’i bëjë presion Presidentit, për të cenuar një interes të përgjithshëm dhe gjithmonë të gjitha këto, vijnë si rezultat i pushtetit. Këto kanë qenë edhe arsyet që Presidenti, në çdo rast duhet të zgjidhej me 84 vota, që u ndryshua në vitin 2008 dhe u bë shumë gabim. Kjo është edhe arsye që, për të shkarkuar Presidentin duhen 94 vota, por edhe vendim i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Koha tregoi se, kur një President ka vullnetin për të mbrojtur këtë Institucion dhe interesin kombëtar, edhe pse është i vetëm përballë një maxhorance, e cila në çdo sekondë mund të votonte shkarkimin siç edhe e ka bërë në marrëzi të plotë, edhe pasi i kishte përfunduar mandati, kjo ishte një gjë e pamundur, kur Presidenti ka të drejtë, dhe këtë të drejtë e kupton, e ndjen dhe kjo gjë i transmetohet edhe popullit. Ngjarjet do të kishin qenë shumë më keq dhe në drejtim të paditur, nëse populli i Shqipërisë nuk do ishte përgjigjur thirrjes së Presidentit në 2 Mars. Ai manifestim i jashtëzakonshëm dhe i historik, i cili zmbrapsi ligjin për betimin të Lana në Gjykatën Kushtetuese, në të kundërtën, përshkallëzimi do kishte qenë i paparashikueshëm dhe kjo gjë, nuk do të ishte e mirë për vendin dhe për askënd.

Flash News

News24 Livestream