Home > SHQIPËRIA

Debati për FSHF, Rama zbardh bisedën me Veliajn: Bashkia ka prova për farsën e zgjedhjeve!

Debati për FSHF, Rama zbardh bisedën me Veliajn: Bashkia ka prova

Kryeministri Edi Rama foli mbrëmë rreth situatës politike në vend teksa u ndal mbi procesin e Këshillimit Kombëtar, duke u shprehur se qytetarët që do të plotësojnë pyetësorin do të mbeten anonimë dhe nuk do të shënohen emrat e tyre në zarfe.

Kreu i qeverisë tha në “Open” se për çështjet e parashtruara në pyetësor, PS-ja ka edhe debate të brendshme dhe dilema.

I pyetur nëse qytetarët dalin kundër një çështjeje të caktuar, më konkretisht “Open Balkan”, Rama theksoi se nuk do të heqin dorë, por do të japin më shumë shpjegime se çfarë është.

Sa u përket raporteve për nivelin e korrupsionit në vend, Rama tha se nuk i interesojnë fare dhe me rëndësi për të janë vetëm raportet e BE-së. Duke komentuar debatin në FSHF, tha se ka pasur një bisedë me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, ndërsa thekson se nuk e ka dëgjuar përgjimin.

Kryeministri zbuloi edhe se çfarë i ka thënë kryebashkiaku Veliaj në lidhje me përgjimet:

“Më tha që i qëndroj asaj që ka thënë, ka qenë një bisedë mes çunave të kalçetos…”. Rama tregoi se çfarë bisedoi me Veliajn për këtë çështje dhe faktin që u përmend SPAK duke bërë me dije se nuk ka aspak lidhje me këtë. Kryeministri foli edhe për situatën në Partinë Demokratike. Sipas tij, as Basha dhe as Berisha nuk kanë legjitimitet politik, edhe pse kryedemokrati Basha njihet zyrtarisht nga Gjykata si kryetar i selisë blu. Rama tha se me veprimet e tij, ish-Kryeministri Berisha po tregohet krejt qesharak duke “sfiduar” Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edi Rama replikoi me gazetarin Robert Rakipllari në emisionin “Open” pasi ai e pyeti përse nuk e njeh Bashën si kryetar të PD-së, ndërkohë që e ka njohur Uashingtoni dhe Gjykata. Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk i intereson një opozitë që, sipas tij, na bëri horë me botën duke i rënë politikës me vare.

Kreu i qeverisë u shpreh se nuk do të bëhet mbret në krye të vendit, duke lënë kësisoj të kuptohet se do ta mendojë kandidaturën për Kryeministër në një mandat të katërt.

Z. Rama, e nisim me nismën e këshillimit politik. Janë hedhur 12 çështje, ka të tjera?

Jo, për këtë vit ky është këshillimi i parë. Ka shumë gjëra që duhet t’i mësojmë dhe kuptojmë nga kjo eksperiencë që duam ta bëjmë vit pas viti. E kemi bërë totalisht anonime. Nuk ka asnjë lloj identifikimi të qytetarëve. Zarfet që kanë shkuar në shtëpi janë pa emër.

A është normale që pas 9 vitesh t’i drejtoheni popullit? A mund të zëvendësohet zëri i ekspertëve me zërin e popullit?

Qeverisja është proces që nuk përfundon kurrë dhe mendoj është lajm i mirë fakti që kemi hyrë në mandatin e tretë dhe jemi në kërkim të përmirësimit, zgjerimit të rrugëve të komunikimit dhe urave me qytetarin. Gjithmonë kam pasur fobi ndaj rutinës, ky është një ndryshim. Nuk na mungojnë kartonët për t’i marrë këto vendime. Nuk na duhet një justifikim, sepse nuk do të nxjerrim sytë për të vënë vetullat. Të gjitha çështjet janë dilema, nuk janë çështje ku duam të gjejmë justifikim. Duke parë reagimet, komentet, anketimet, edhe vetë numrin e pyetësorëve të mbushur në kaq pak ditë, qytetarët e pëlqejnë këtë gjë. Këtu do të mësojmë edhe ne. P.sh., kam vënë re në shumë komente që qytetarë të cilët e kanë mbushur pyetësorin do të dëshironin të bënin komentet e tyre. Kemi edhe debat të brendshëm për këto çështje.

Po nëse qytetarët dalin kundër një çështjeje të caktuar, më konkretisht “Open Balkan”, a do të hiqni dorë?

Në rast se 90% e qytetarëve janë kundër, i bie të japim më shumë shpjegime se çfarë është, pse e bëjmë. Unë e kam shprehur qëndrimin tim, por në këtë rast, do të duhet të bëjmë më shumë përpjekje. Politika nuk ka lindur që të jetë spektakël si “Big Brother”-i që të zihen njerëzit për brava. Për “Transparency International”, nuk ka raport, por një indeks. Nuk dua t’i hyj diskutimit, por po të dëgjosh shpjegimet që jepen, nuk e di si lidhen me korrupsionin. Unë nuk e pranoj kurrë që në të gjithë këtë transformim rrënjësor me shërbimet online, nuk paska ndryshuar asgjë, një pikë më shumë, si dikur që rrinin në radhë. Këtu është e rëndësishme se çfarë bëjmë ne realisht. Shqipëria është me numrin më të ulët të vjedhjeve në Europë dhe me konsumin më të lartë të frutave, siç Shqipëria ka shpenzimet më të mëdha në cash, që nuk është e mirë. Këto janë raporte të EUROSTAT. Nuk më interesojnë fare, i shoh me shumë rezervë, merret një perceptim, por nuk më interesojnë. Unë shikoj raportet e BE-së.

Dilemë e keni edhe pyetjen për Ballkanin e Hapur, por ky është fakt i kryer? Çfarë vendimmarrjeje ka qytetari shqiptar për Maqedoninë e Veriut? Po e ndërseni popullin drejt një drejtësie popullore?

Sa i takon ndarjes me Maqedoninë, ka shumë në dorë Shqipëria. Ne kemi pasur mundësinë që të bëjmë një politikë agresive ndarjeje dhe të shkojmë në çdo derë europiane edhe të themi ç’punë kemi ne që na mbani këtu. Nëse as Presidenti i Francës nuk do ta bindë Bullgarinë të ndryshojë rrugë, atëherë është e arsyeshme që ne të ndryshojmë vijë.

Nëse shumica janë pro ndarjes nga Maqedonia e Veriut, si do veproni?

Në rast se do kemi një ndjesi nga populli që “po, do ndahemi tani”… Shqipëria komportohet ndryshe, kërkon në çdo instancë ndarje.

Cili është komenti juaj për konfliktin mes bashkisë dhe FSHF-së?

Nuk kam asnjë koment. Qeveria është tërësisht jashtë kësaj çështjeje. Për qytetarët mund të ishte më e rëndësishme tema e legalizimit apo jo të kanabisit mjekësor, amnistimit të punës në të zezë të emigrantëve. Konflikti i bashkisë si aksionere e Futboll Klub Tirana me FSHF-në nuk është një çështje e qeverisë. Nuk është tema jonë kjo si qeveri. Federata ka Statutin e vet, bashkia është aksionare e Klubit Tirana, ka ankesa të mëdha dhe thotë që ka prova për farsën e zgjedhjeve. Është beteja e tyre! Kam bërë një bisedë me kryetarin e Bashkisë pasi doli një përgjim. Përgjimin nuk e kam dëgjuar, refuzoj të dëgjoj përgjime, sepse të gjitha të dala nga konteksti prodhojnë diçka të tillë. E mora ta pyes çfarë është kjo dhe më shpjegoi gjithë kontekstin, abuzimet e Federatës, procesin e zgjedhjeve jashtë standardit. I thashë po SPAK-un për çfarë e përmend? Shiko si del nga konteksti. SPAK-u nuk ka lidhje fare me një OJF. Kuptohet që është një fjalë e thënë në një muhabet, por SPAK-u vetë nuk ka kompetencë të merret me OJF-në. Është një muhabet në një dhomë me profesorë kalçetoje. Thonë që kanë të dhëna flagrante për farsën e zgjedhjeve, është puna e tyre.

FIFA dhe UEFA kanë paralajmëruar se do të vijnë në Shqipëri. Do t’i takoni?

Po patjetër! Unë i kam miq ata. I pres me shumë kënaqësi. Ka qenë një bisedë me çunat e kalçetos.

SHBA-ja e ka bërë disa herë të qartë, edhe Escobari, që njohin një kryetar opozite që është Lulzim Basha, ju thoni nuk e njihni.

Gjykata e njeh, SHBA e njeh, ju e njihni?

Tani dola edhe unë antiamerikan. Çfarë amerikani të jem unë që në rreth 1900 karrige, ulen 5 mijë veta. E di atë të Loro Boriçit kur tha shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Të duket barcaletë se ke qenë i vogël. Legjitimitet nuk ka as Luli, as tjetri. Fakti që duan të shkojnë te godina, tregojnë se nuk kanë legjitimitet. Për çfarë ishin dyert e blinduara? Të thërrisnin Policinë.

Edhe foltorja këtë thotë….

Foltorja ka punën e vet, unë kam punën time. Edhe Loro Boriçi u tha kinezëve “shiu ka punën e vet, unë kam punën time”.

Gjykata njohu Lulzim Bashën si kryetar. Ju e njihni?

Kë të marr në telefon, më thuaj ti kë të marr? Për mua jo nuk janë! Unë flas për legjitimitet politik, nuk flas për vulë. Vulën e ka Lulzimi! E shihni çfarë u kanë bërë demokratëve, çmenduri! Nuk po e përcaktoj unë kryetarin e PD-së. Kë të marr në telefon? Po bëj një analizë, i njoh të gjithë ata. I kam pasur në kurriz! Amerikanët thonë që njohim këtë kryetar, sepse ky ka vulën dhe ka legjitimitetin, unë flas për legjitimitet politik dhe them se në këto kushte kemi një PD që nuk është më PD, është një gjë e ndarë me dyer të blinduara.

A ju intereson që Partia Demokratike të jetë antiamerikane?

Pse më interesuaka mua?! Ti mendon që unë jam një burrë po kaq i ngushtë sa ti që je në një profesion që ta kërkon të jesh provokativ. Jo unë s’jam. Jam në mandatin e tretë, dua që gjërat të mos jenë të lidhura me interesin tim, por me interesin e vendit, dhe nuk është që të jetë një ish-Kryeministër “non grata”. Është dhe e meriton të jetë “non grata”! Kemi të bëjmë me një legjitimitet formal, nëse bëhen komisione, ata janë formalisht, por s’kanë legjitimitet politik. Sa më sfiduese të jetë opozita, aq më problem është që ti që qeveris të jesh në alert për të bërë gjëra dhe prandaj them që është një nga arsyet që kam pasur idetë që të flasim drejtpërdrejt me njerëzit, pse me këta do të merremi ne? Si mund të mos më interesojë mua një opozitë që na bëri horë me botën, që goditi politikën me vare në kokë. Unë jam në mandatin e tretë. Pse do të bëhem mbret unë këtu?! 2030-ta erdhi.

E synoni mandatin e katërt qeverisës?

Unë do të qëndroj për sa kohë kam këtë pasion, këtë besim, këtë energji dhe bindje. Nesër mund të ndodhë që nuk e ndjej këtë forcë e them deri këtu isha. Nuk më intereson kjo, por mosbërja horë e këtij vendi. E bënë horë Shqipërinë po të them.

Unë si analist, ju thoni që janë të dy njëlloj, ndërsa si Kryeministër nuk e dimë se çfarë qëndrimi keni?

Janë dy të vdekur të pakallur që nuk i duhen as dreqit, jo më demokratëve, këtë di unë. Të bëj një parashikim, ne në zgjedhje do të shkojmë me kandidatë normalë, njerëz normalë që do të shkojnë të ofrojnë një kandidaturë për punë. Përballë do të kenë brava, do të kenë vare. Dhe jam i bindur 100 për qind, 1000 mijë për qind që do të futet edhe Ilir Meta. Mbajeni mend tani që “non grata” do të bashkohet me Ilir Metën. Ilir Meta është edhe “grata”, edhe “non grata” dhe do të jenë të dy bashkë atje, brava, qysqi, trasta të mbledhur atje. Çfarë do zgjedhin njerëzit, njerëzit duan të zgjedhin kryetar bashkie. Këta do të zgjedhin bravaxhinjtë, trastaxhinjtë dhe qysqixhinjtë. Ilir Metën e ke me Saliun, “grata”, “non grata”, “grata”, i ke bashkë të dy, sepse është ajo shprehja se ishim te xhamia; çfarë ndodh në fund me derën e xhamisë!

Të bashkohet populli opozitar me PSnë!

Flasim për një frymë kombëtare që duhet të ketë Shqipëria. Flasim për të mos u bërë hora Shqipëria. Më kanë marrë njerëz nga jashtë që ça është kjo që njerëzit e opozitës sulmojnë selinë e opozitës.

A ju duket e çuditshme që z. Kim mbështet Lulzim Bashën?

Unë nuk jam ambasadorja amerikane. Ambasadorja e SHBA-së përjashton një shtet që jo vetëm që i ka vendosur vijë të kuqe, por sfidohet në mënyrë qesharake. Përpara se ta korruptoja unë, do ta kishin korruptuar fuqitë e mëdha, dhe ajo s’do të ishte më ajo Amerika. Vendimet për “non grata” janë vendime të detajuara.

Sali Berisha shprehet se pas vendimit për shpalljen ‘non grata’ fshihet George Soros…

Kim përfaqëson SHBA-në, një shtet jo vetëm që i ka vënë vijën e kuqe Saliut, por çështja është që po sfidohet në mënyrë qesharake nga një njeri që ka eksperiencën që e di edhe ai vetë që s’ka lidhje me konspiracione Soros dhe Rama, sepse po të ishte kështu, të kishte kapacitete të tilla, përpara se ta korruptoja unë, do ta kishin korruptuar oborret mbretërore të Lindjes së Mesme. Ku ka këtu DASH të marrë vendime se ndërhyri Soros, vendimet për “non grata” merren me procese që zgjasin me vite, dhe ky proces ka nisur që prej administratës së kaluar. Moskalimi i oqeanit dhe shpallja “non grata” janë dy shkallë të ndryshme. Është një ndarje shumë e thellë dhe është shumë e qartë që SHBA njeh PD-në që drejtohet nga Basha, ka vulën, firmën!

Si e dinit që Berisha nuk e kalonte dot oqeanin?

Të mos e kalosh oqeanin dhe “non grata” janë dy gjëra të ndryshme. Është një ndarje shumë e thellë dhe është shumë e qartë që SHBA njeh PD-në që drejtohet nga Basha, ka vulën, firmën.

A dini ndonjë tjetër që nuk e kalon oqeanin?

Ne kemi një President anormal. E zgjodhëm sepse nuk kishim votat.

Do ta zgjidhni Presidentin nga radhët e PS-së apo do të dialogoni me opozitën?

Me cilën opozitë? Nuk do të bëjmë lojë me derën e Presidencës. Do të shohim dinamikën e këtyre ditëve dhe nëse do të shkojmë përtej PS-së.

Si iu përgjigjët Presidentit Erdogan për parakushtin për luftën ndaj gylenistëve?

Fjalët janë shumë të rëndësishme, prandaj duhen dëgjuar siç thuhen. Parakusht vëllazërie është t’i thuash mikut të vërtetën, sado e hidhur të jetë ajo. Lidhet me thënien e një të vërtete mbi çështjen, jo parakusht vëllazërie. “Duhet të bëni diçka” e thotë vazhdimisht, ne e dëgjojmë me respekt dhe nuk kemi ndenjur me duar të lidhura. Kemi pasur persona problematikë në raport me shtetin shqiptar dhe kemi vepruar. Qasja në fjalë do të thotë që kjo është një organizatë që atë që e bëri atje, mund ta bëjë këtu. Ne nuk kemi pasur të dhëna. Por elementë të caktuar që nuk paraqiten në rregull në raport me legjislacionin, patjetër.

Erdoganin mund ta kesh idhull, mentor apo sponsor?

Asnjë nga këto të tria. Është personalitet i jashtëzakonshëm, politikan me kapacitet të jashtëzakonshëm dhe njeri i jashtëzakonshëm.

U përjashtuan përfaqësuesit e KMSHsë nga ceremonia e xhamisë…

Në xhami hymë për të parë restaurimin dhe pjesa e një faljeje që ai do të bënte, u anulua.

A ju kërkoi Erdogani të mos ishte?

Në programin e mëparshëm ishte që ai do të bënte falje dhe u ndryshua programi.

Flash News

News24 Livestream