Home > SHQIPËRIA

COVID-19/ Vetëm 3 të shtruar në Infektiv, Manastirliu: Të dhëna premtuese për sezonin turistik

Prej më shumë se një muaj shifrat e pandemisë kanë pësuar ulje të ndjeshme. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njofton se në Spitalin Infektiv po marrin shërbim mjekësor vetëm 3 pacientë.

Duke qenë se jemi në fillim të sezonit turistik veror, ministrja shkruan se këto janë shifra premtuese për të gjithë pushuesit që zgjedhin të kalojnë verën në Shqipëri.

“Covid19/ Të dhënat nga Spitali Infektiv, ku aktualisht ka vetëm 3 pacientë të shtruar, rastet ditore të ulëta, pavarësisht numrit të lartë të testimeve dhe ulja e vazhdueshme e rasteve aktive, janë të dhëna premtuese për një sezon turistik përtej pandemisë”, shkruan ministrja.

Pavarësisht bilancit të koronavirusit, Unioni Turistik shqiptar i është drejtuar me një letër Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut, Ministrit të Mjedisit Blendi Klosi dhe drejtoreshës së Komitetit Teknik të Ekspertëve për të ndryshuar masat anti-COVID.

Ata kërkojnë ndryshimin e orës policore si dhe lejimin e muzikës në lokale deri në mesnatë, ku aktualisht lejohet deri në orën 22:00. Kujtojmë se ditën e djeshme u shënuan 2 raste të reja me COVID dhe asnjë humbje jete.

News24 Livestream