Home > SHQIPËRIA

Aksidenti te “Kodra e Diellit”/ Makina “fluturoi” në trotuar dhe plagosi 3 kalimtarë, arrestohet 29-vjeçarja që drejtonte mjetin

Aksidenti te “Kodra e Diellit”/ Makina “fluturoi”

Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në afërsi të zonës “Kodra e Diellit” në Tiranë, ku një makinë me drejtuese një 29-vjeçare aksidentoi tre këmbësorë në trotuar.

Si pasojë mbetën të plagosur një 60 vjeçar, një 57 vjeçare dhe një 27 vjeçare, të cilët u transportuan me shpejtësi drejt spitalit Ushtarak.

Sipas një njoftimi të policisë dy prej të plagosurave janë jashtë rrezikut për jetën dhe kanë dalë nga spitali, ndërsa një prej tyre ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve.

“Shtetaset V. H., dhe A. T. pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore janë larguar në banesa, ndërsa shtetasi B. H., ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve”, njoftojnë uniformat blu.

Ndërkohë, në pranga ka përfunduar drejtuesja e mjetit.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasen E. G., 29 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar shtetasit B. H., V. H. dhe A. T.”, bëhet me dije nga policia.

Flash News

News24 Livestream