Home > SHQIPËRIA

6 marsi/ “Partia në pushtet e avantazhuar”, Erl Murati: PD zyrtare do jetë mbi forcat e tjera në opozitë

6 marsi/ “Partia në pushtet e avantazhuar”, Erl Murati: PD

Ndonëse për 6 marsi është i paparashikueshëm, analisti dhe kryeredaktori i Gazeta Shqiptare Erl Murati mendon se zgjedhjet e pjesshme vendore do të fitohen nga partia në pushtet. Murati tha në rubrikën “Opinion” në News24 se PD zyrtare do jetë mbi forcat e tjera në opozitës dhe se grupi që gjendet në minorancë duhet të jetë më reflektues në këtë pikë.

“Nuk është koha më e mirë për opozitën për të provuar forcën e saj. Por nga ana tjetër jemi në rrethana të reja, përçarja në PD kërkon përballje me elektoratin.

Parashikoj në këto zgjedhje që të ketë një fitore të PS-së në pushtet për shumë arsye.

Më 25 prill të vitit të kaluar PS konfirmoi mbështetjen e saj në elektorat. kemi një verifikim më pak se një vit. Arsyeja tjetër është çarja në PD, që nuk është një sherr mes Bashës e Berishës, por në të gjitha forumet Berisha ka zërin e tij. Sigurisht që ka qenë pakicë në këto forume.

Ne e dimë që kur ka zgjedhje të pjesshme vendore, partia në pushtet është e avantazhuar. E mbani mend bashkinë e Dibrës, kryetari u shkarkua pas një skandali dhe pasardhësi i tij fitoi më shumë vota se sa kishte kryetari i shkarkuar pas skandalit”, tha Murati.

Ai tha më tej se do ishte një denatyrim që Berisha të bënte fushatë për LSI-në, por se ende duhet parë se si do të paraqiten në zgjedhje.

“Ne e dimë që PD është e Lulzim Bashës nga pikëpamja juridike. Kemi një PD nga pikëpamja ligjore që drejtohet nga Lulzim Basha. Ne ende nuk e dimë si do paraqiten në zgjedhje lëvizja e z. Berisha, Foltorja dhe LSI-ja. Nuk e dimë nëse Berisha do mbështesë kandidatë të pavarur, të PR-së apo LSI-së. Edhe ku flasim për koalicion Meta-Berisha, duhet të kemi kujdes sepse Berisha nga pikëpamja de jure nuk është kryetar i një partie. Duhet parë.

Nuk do ishte normale të kishim një denatyrim të tillë që Berisha të dilte të bënte fushatë për LSI-në. Mund të gjendej një formulë. P.sh. nëse LSI-ja bënte koalicion me parti të tjera, situata do të ishte interesante. Në një farë mënyre topi nuk do ishte vetëm në fushën e Bashës, por edhe të Berishës. Do ishte një sfidë. Unë besoj që PD zyrtare do jetë mbi forcat e tjera në opozitë. Opozitarizmi në këtë vend do përfaqësohet nga PD-ja. Zoti Basha i ka konsoliduar pozitat për të qenë ai opozita zyrtare.

Mbetet për t’u parë mbështetja në elektorat. Grupi që gjendet në minorancë duhet të jetë më reflektues në këtë pikë”, tha ai.

Sipas Muratit, pas zgjedhjeve të 6 marsit duhet të ketë reflektim nga të dyja palët, cilido të jetë rezultati i zgjedhjeve. “PD do jetë forca kryesore e opozitës. Nëse ndodh kjo i takon Berishës dhe mbështetësve të tij për të parë nga vetja”, tha ai.

Flash News

News24 Livestream