Home > Real Story Lajmet

Shkarkimi/ Vasjari: Meta shkeli nenin 86 të Kushtetutës, ka tejkaluar kompetencat e Kreut të Shtetit

Nisma e Partisë Socialiste për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta është bërë temë diskutimi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24.

Për analistët Skënder Minxhozi dhe Arjan Vasjari, Presidenti Meta ka tejkaluar kompetencat e Kreut të Shtetit në sjelljen dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës elektorale.

Nga ana tjetër, analisti Fatos Lubonja tha se Presidenti rrëzohet për krime të rënda, si shitja e vendit te të huajt apo veprime të tjera të forta.

Pjesë nga diskutimet në studio:
Minxhozi: Ne po diskutojmë sjelljen në fushatë të Ilir Metës. Ku ka President që del kështu në fushatë?
Lubonja: Ky argumenti që i tha amerikanëve ‘ju më vrisni…’, nuk qëndron. Nuk mendoj që është serioze që një ambasador të shkojë e t’i thotë Presidentit që ‘ne dimë diçka për ty’, nuk është serioze për ambasadorët të ndërhyjnë në punët e brendshme, siç ndërhyjnë në Shqipëri. Neve na trajtojnë sikur të jemi koloni. Ndihma e tyre vjen shumë vonë, kur digjet Shqipëria. Një President rrëzohet për krime të rënda. Ka krime që i parashikon ligji për presidentin, siç është shitja e vendit te të huajt, apo veprime të tjera të forta.
Minxhozi: Le ta lërë Presidencën dhe të shkojë te partia e tij. Është Kreu i Shtetit, pse bëhet me opozitën?
Lubonja: Ore unë kam thënë që këtu ka tre banda, dhe këtu nuk e kam përjashtuar, por është më keq që t’i kapë të gjitha Edi Rama.
Minxhozi: Unë mendoj që Presidenti i Republikës meriton t’i thuhet që kështu nuk është posti i presidentit.
Lubonja: Ne bëjmë sherr këtu kot, se nesër këta mund t’i shohim duke pirë kafe te “Rogner”. Ne bëjmë muhabet për njerëz që nesër shkojnë e hanë drekë me ngjala.

Vasjari: Nuk e shkarkon dot parlamenti presidentin, e shkarkon gjykata. Në çfarëdo lloj analize që ne duam t’i bëjmë presidentit, nuk shmangemi dot nga Kushtetuta. Domethënia politike e kushtetuese e Presidentit kufizohet vetëm në një nen, ai 86, që thotë se “Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Ky është thelbi i rolit të Presidentit. Presidenti në të gjitha sjelljet, aktet, qëndrimet, nuk mund të dalë jashtë këtij parashikimi kushtetues, edhe kur do të mbrojë lirinë e votës, ekonominë nga PPP, paanësinë e shtetit. Nuk mund ta anashkalojë kurrë këtë parashikim kushtetues, sepse ky është vetë thelbi ekzistues i Presidentit. Nëse anashkalon këtë, praktikisht ke asgjësuar institucionin e Presidentit. Gjuha e presidentit ka qenë një gjuhë që është qartësisht palë. Edhe në këtë betejë, Presidenti i Republikës është edhe President i socialistëve. Sjellja e Presidentit ka tejkaluar në mënyrë të qartë parashikimin e nenit 86 të Kushtetutës. Presidenti nuk ka qenë ashtu siç e përcakton Kushtetuta, Kryetar Shteti.

News24 Livestream