Home > Real Story Lajmet

"Meta prej një artifice ligjore mund të kthehet në ‘hero’", Roland Lami: Komisioni Hetimor s’po siguron provat për të justifikuar vendimin


Analisti Roland Lami i ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 thotë se Presidenti Meta prej një artifice ligjore mund të kthehet nga viktimë në hero.

Referuar punës së Komisionit Hetimor, Lami thotë se kësaj here ky Komision ndryshe nga ai i pari e di vendimin, por s’po siguron provat, po bën më shumë analizë deklaratash se sa akte.

Ai thotë se kur Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin, për shkak të mungesës së akteve, Meta mund të mos shkarkohet dhe prej kësaj artifice ligjore të dalë që ai paska qenë në rrugë të drejtë dhe jo ashtu siç e akuzonin.

‘’ Më ngjan në ato raste kur gjithë qyteti e di kush e ka bërë ngjarjen, por mungon prova për të dhënë gjykimin pë ngjarjen. Çfarë u tha dhe këtu ka një nxitim nga Komisioni Hetimor, që di vendimin, por s’po siguron provat për të justifikuar vendimin. Nuk është gjë e lehtë. Aktualisht që po analizojmë, referuar çfarë ka bërë publike media ku funksionaliteti i këtij Komisioni, e ke të vështirë të gjesh aktet që do bashkangjitësh dosjes për të justifikuar shkarkimin. Kushtetuta parasheh, e shikon si një hallkë check-and-balance në mungesë të dy dhomëshit. Presidenti pavarësisht se duket honorifik, ka rol të rëndësishëm. Edhe kur është menduar shkarkimi i Presdientit, është bërë kujdes që në raste ekstreme të bëhet. Por të shohësh punën e Komisionit është në analizë deklaratash se sa në akte. Në Komisionin e parë kishte akte. Gjykohet akti. Interpretimi i Venecias duhet të na bëjë të kuptojë që pavarësisht tejkalimit të kompetencave, dha interpretim politik që nuk ka bazë për shkarkim sepse cënon balancat e pushteteve në Shqipëri. Prish ekuilibrat. Ky Komision më duket se nxiton, por e gjej të vështirë që të ketë argument juridik që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim të pritshëm me atë që kërkon PS. Është dëshmuar në shumë raste që individë që propozohen nga institucione ndjejnë detyrim për ta mbrojtur atë. Kjo do të testohet. E fundit, edhe sikur të shkojmë në finale që ka nxitim nga mazhoranca, mungojnë aktet, ka raport nga Venecia, vetë ne që me një kulturë modeste juridike gjejmë pak arsye që të justifikohet shkarkimi. Nëse merret vendimi që rrëzohet kërkesa e Komisionit Hetimor, padashje atë që njeh Presidenti, nga i pandehur del në një person që ka lëvizur drejt. E kthen Presidentin nga një viktimë, i paragjykuar në një person që ka bërë mirë jo për hir të asaj që ka bërë po se ka gjetur artificin ligjor që nuk e shkarkon atë. Vetëm nga një artificë Meta mund të kthehet nga viktimë në hero.’’- tha Lami.

Flash News

News24 Livestream