Home > Real Story Lajmet

Analisti Skënder Minxhozi: Djegia e mandateve ishte një akt hipokrit dhe i solli Partisë Demokratike gjithë këtë dramë

Analisti Skënder Minxhozi: Djegia e mandateve ishte një akt hipokrit

Analisti Skënder Minxhozi tha në studion e “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, se djegia e mandateve ishte një akt hipokrit dhe i solli Partisë Demokratike gjithë këtë dramë.

I të njëjtit mendim ishte edhe ish-Presidenti Bujar Nishani, i cili tha në studio se ky akt ishte joproduktiv dhe hipokrit. Sipas tij, me humbjen e 25 prillit, PD pagoi një kosto të madhe, ndërsa shtoi se tani në partinë e djathtë dëshpërimi do të jetë edhe më i thellë dhe besimi i qytetarëve do vijojë të minohet.

Minxhozi: E gjithë kjo listë njerëzish me kaq shumë atribute e përvoja nuk mund të mos e kuptove se dalja nga sistemi, nuk mund të legjitimohet nga e vetmja palë, që do t’i binte bilbilit e do të thotë “fituese ose humbëse”. Ajo lëvizje ju ka sjellë gjithë këtë dramë, që pësuat më tej. Në momentin që ju keni një nga dy komponentët e opozitës, që ka kërkuar një gjysmë ndjese, të vazhdojë ky diskutim e të mbahet gjithë opozita te një fakt, është hipokrite.

Nishani: Joproduktiviteti dhe hipokrizia përmbledhin gjithçka. Ne nuk ishim produktivë në aktet që ndërmorëm, për shkak se ishim hipokritë. Nëse ne e ndërmorëm një akt të madh, duhet të ishim produktivë, të paktën të fitonte kauza. Ne më 25 prill kemi paguar një kosto të madhe të gjithë, edhe ne si PD, por edhe vendi në tërësi. Pas 8 vitesh qeverisje të modelit të qeverisjes “Rama”, do të kemi dëshpërim edhe më të thellë të PD, minim të besimit edhe më të madh të opinionit publik. Edhe ata që besonin para 25 prillit se do të sillnim ndryshimin, kur erdhi momenti, nuk u soll. Me këtë ti e ke demontuar totalisht vizionin tonë. Ndaj them që PD sot është në një krizë të madhe.

News24 Livestream