Home > KULTURE

Lipsanet e Shën Gjon Vladimirit ikin nga Muzeu Kombëtar, shkresa e institucionit: Nuk përbëjnë interes shkencor, historiani: Në kishë të sigurta

Lipsanet e Shën Gjon Vladimirit, që ruheshin në Muzeun Historik Kombëtar kanë dalë prej aty dhe i janë dorëzuar Manastirit që mban emrin e shenjtit në Elbasan. News 24 ka kërkuar nga muzeu, procedurën e ndjekur për këtë zhvendosje dhe në një përgjigje zyrtare, Muzeu sqaron se kthimi i lipsaneve ka qenë qenë kërkesë e përsëritur e Mitropolisë së Elbasanit.

Përgjigjja zyrtare e Muzeut Historik Kombëtar:

“Referuar shkresës, Mitropolia thekson se lipsanet përbëjnë trashëgimi dhe pasuri shpirtërore fetare ortodokse shqiptare. Njëkohësisht përmes marrëveshjeve, ‘shteti i njeh Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sende të luajtshme dhe të paluajtshme’…Kërkesa thekson se lipsanet duhet të jenë pranë manastirit të Gjon/ Joan Vladimirit për shkak se kanë karakter të shenjtë dhe qëndrimi i këtyre objekteve në fondet e Muzeut Kombëtar nuk përbën vlerë të shtuar apo interes letrar e shkencor, nuk nderohen dhe respektohen sipas besimit ortodoks, arsye kjo pse ato duhet të zhvendosen…Komisioni i ngritur vlerësoi të kryhet zhvendosja e përkohshme e dy objekteve të trashëgimisë kulturore  në manastirin e  Shijonit në Elbasan me afat 5-vjeçar”.

Lipsanet u morën nga Manastiri më 1967  kur objekti i kultit kthye në repart ushtarak. Prej aty u çuan në kishën muze të Shën Mërisë deri në vitin 2004 kur u vendosën në Muzeun Kombëtar. Por pse janë të rëndësishme lipsanet për një kishë?

Andi Rembeci, historian bizantolog, thote se “Krishtërimi u themelua në një kohë që ishte armiqësire ndaj tij, krishterët jetën fetare e kryenin në katakombe në atë kohë. Sot e kësaj dite kishat kanë altarin që simbolizon varrin e Krishtit ose të një shenjtori. Brenda një altari vendosen reliket e një shenjtori”.

Pas perandorit Apostat që riktheu paganizimin nëna e perandorit Kostandin, Elena, u përpoq të mblidhte reliket e shenjtorëve duke krijuar traditën e pelegrinazhit. Rëmbeci rrëfen udhëtimin e relikeve të Shën Gjon Vladimirit, duke treguar se ai  “U vra me kokëprerje nga Ivan Vladislavi. Kozara e shoqja, e solli reliket në Krajë pranë Malit të Zi. Pas vitit 1204 kur despoti i Epirit arriti deri në Shkodër i mori reliket dhe i solli në Durrës. Në shekullin e 14, princi shqiptar Karl Topia, ndërton ku është sot manastriri në Shijon të Elbasanit, kishën e vjetër që ia kushton Shën Gjon Vladimirit për nder të të cilit, zhvendos dhe reliket në manastirin e ri”.

Në një Shqipëri ku para ‘90-ës trashëgimia kulturore u shkatërrua nga komunistët e pas ‘90-ës u plaçkit dhe u shit, përfshirë dhe ikona mesjetare, shqetësimi publik i atyre që nuk janë besimtarë është siguria e objekteve unike, siç mund të cilësohen lipsanet.

Rëmbeci thotë se “lipsanet në një kishë janë në shtëpinë e tyre. Kishat janë të ruajtura. Lipsanet janë objektet më të shenjta të kishave. Lejomëni të kujtoj që kishat, ikonat, veprat kishtare, lipsanet e çdo gjë tjetër nuk i kanë ruajtur strukturat shtetërore gjatë shekujve. Kjo ka hyrë në botëkuptimin tonë gjatë komunizmit  kur shteti i sekuestroi dhe u detyrua t’i ruajë ato”.

Ky është rasti i parë që një objekt i regjistruar si pronë e muzeut del prej tij.

Flash News

News24 Livestream