Home > KULTURE

“Kapter Behari”, premierë në Teatrin Metropol, regjisori Stefan Çapaliku: Jetë paralele nga komunizmi në tranzicion

Një kapter komunist që iu vesh ëndrrave të tij kujtimet e një konsulli anglez dhe një i dënuar politik që përkthen vepra sekrete. Jeta nën diktaturë vjen e parë përmes jetëve paralele në premierën e teatrit të Metropolit.

Kapter Behari përgjegjës për agjitpropin dhe Pjetri, një i dënuar me 25 vite në burgut të Burrelit në komunizëm janë dy personazhet kyçe të shfaqjes që vjen premierë në Teatrin Metropol me tekst dhe regji të Stefan Çapalikut, si zbërthim i pasojave të një shoqërie që jetoi nën diktaturë për gati 5 dekada.

“Ne jemi një shoqëri e molepsur nga kultura e dyshimit, kemi kulturën e mohimit që është si pasojë e kulturës së dyshimit. Dhe ajo që është më e keqja është të jetuarit në dy jetë paralele. Komunizmi na ka mësuar të kemi një jetë në shtëpi dhe një jetë jashtë shtëpie. Dhe këto dy vija paralele nuk janë takuar asnjëherë”, tha Çapaliku.

Një i dënuar ngarkohet nga komanda të përkthejë materiale sekrete për llogari të Komitetit qendror, ndërsa kapteri joshet nga kujtimet konsullit anglez që vijnë në shqip duke nisur të projektojë një jetë paralele që i vishet imazhit të banakiere Lizës, e që çjerr, moralin komunist të propaganduar dhe njëherësh tregon bartjen e komplekseve të shoqërisë nga e shkuara.

“Ervin Bejleri luan rolin e Kapter Breharit. Në këtë jetë të dyfishtë, zgjohen ato elemente të nëndheshme që janë pjesë e subkonshit, pjesë e mungesës së lirisë individuale, që çojnë kokë dhe krijojnë një figurë siç është Kapter Behari. Ky rol e pasuron galerinë e roleve të Naun Shundit, sepse kemi për herë të parë një figurë shumë emocionale”, shtoi më tej regjisori.

Shfaqja ngjitet ne Teatrin Metropol, të premten, të shtunën dhe të dielën me Naun Shundin Ervin Bejlerin, Enisa Hysën me muzikë të Andi Kongos.

Flash News

News24 Livestream