Home > KOSOVA

Vizita e parë në Kosovë si president, LDK: Bajram Begaj refuzoi të na takonte në seli

Vizita e parë në Kosovë si president, LDK: Bajram Begaj refuzoi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka refuzuar që të zhvillojë një takim me drejtues të kësaj partie. Lajmi është bërë me dije nga burime të kësaj partie për Express.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët institucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në përgjigje.

LDK e konsideron qasje të pazakontë refuzimin e Begajt për t’i takuar drejtuesit në zyrat e partisë.

“Ndonëse nuk e kuptojmë refuzimin e tillë dhe shprehim njëkohësisht habinë për një qasje të pazakontë, konsiderojmë si mundësi të humbur takimin me Presidentin Begaj; të cilit i urojmë suksese në përfaqësimin më dinjitoz të Republikës së Shqipërisë. LDK ka selinë e vet dhe ajo mbetet e hapur për çdo zyrtar të shtetit shqiptar – siç ka qenë përherë”, thuhet më tej.
Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, nga dje po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë jashtë vendit.
Begaj është pritur dje nga treshja institucionale, Osmani, Kurti e Konjufca, ndërkaq sot është takuar në ambientet e Kuvendit me drejtuesit e PDK-së dhe AAK-së.

Flash News

News24 Livestream