Home > KOSOVA

“U kërcënua karakteri i shtetit”, Hoxhaj: Liturgjia serbe sot në Prishtinë u bë me dijeninë e Qeverisë së Kosovës

“U kërcënua karakteri i shtetit”, Hoxhaj: Liturgjia serbe

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka reaguar ndaj liturgjisë së mbajtur sot në qendër të Prishtinës duke e konsideruar të papranueshme dhe shoviniste.

Në një postim në ‘Facebook’ Hoxhaj pohoi se liturgjia e Kishës Ortodokse Serbe në qendër të Prishtinës u bë sot me lejen dhe dijeninë e plotë të qeverisë së Kosovës.

“Kurrë nuk mund të sigurohej ardhja e ipeshkvit Teodosije dhe pelegrinëve serbë pa lejen, ofrimin e sigurisë dhe mbështetjes politike nga Qeveria. Prandaj, sot, fatkeqësisht u kërcënua karakteri i shtetit të Kosovës dhe u hapën tema të reja në dialogun me Serbinë që do të konfirmohen në takimin e 15 qershorit mes Kurtit dhe Vuçiçit. Kjo liturgji më së paku është fetare. Gjithçka rreth saj është politike, që për qëllim ka vetëm shtrembërimin e historisë, të vërtetës dhe arsyetimin e një regjimi gjenocidial si ai i Millosheviçit”, ka pohuar ai.

Kreu i PDK-së thotë se “gërmadha e ngritur dhe e papërfunduar në kohën e okupimit, duhej të trajtohej si e tillë – një projekt tjetërsimi shovenist ndaj shqiptarëve që u ndal dhe nuk përfundoi asnjëherë”.
“Por jo, 22 vite pas luftës, kur plagët e dhimbjes nga lufta janë ende të hapura, të organizohet me lejen e plotë të qeverisë Kurti, një liturgji që është thellësisht politike, është e dhimbshme dhe e papranueshme”, tha Hoxhaj.

Sot për herë të parë që nga viti 1998, është mbajtur liturgji në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”, e cila ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet.

News24 Livestream