Home > BOTA

Analiza/ BBC sheh anën pozitive të samitit të Brukselit: Lajmi i mirë është se zgjerimi është kthyer në axhendën e BE

Analiza/ BBC sheh anën pozitive të samitit të Brukselit: Lajmi i

BBC në gjuhën serbe, ka publikuar ditën e sotme një analizë të profesoreshës Eli Gatev nga Universiteti i Oksfordit, në lidhje me samitin e BE dhe procesin e zgjerimit të Unionit.

Gatev është shprehur se mendon që Këshilli Evropian do të konfirmojë perspektivën e anëtarësimit për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Kjo do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme pasi Bashkimi nguron të marrë në konsideratë zgjerimin e perspektivës së anëtarësimit jashtë Ballkanit Perëndimor.

Mbetet për t’u parë se si BE do ta ndryshojë politikën e tij të zgjerimit, por është e qartë se Unioni do të duhet të rishqyrtojë qasjen e tij të deritanishme.

Lajmi i mirë është se zgjerimi është rikthyer në axhendën e BE-së.

Përveç vendimit në lidhje me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, BE-ja do të dëshirojë të dërgojë një mesazh pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të tregojë se BE është e vendosur të përmbushë detyrimet e saj.

Çfarë është në tryezë aktualisht?

Ukrainës dhe Moldavisë po i ofrohet statusi i kandidatit.
Përpara se të mbërrinte në Serbi në maj, kreu i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje për krijimin e një “bashkësie gjeopolitike evropiane”.

Më herët, presidenti francez Emanuel Macron kishte një propozim të ngjashëm për të krijuar një lloj komuniteti politik evropian me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit me vendet fqinje evropiane përtej procesit të anëtarësimit, i cili është në vështirësi.

“Propozimi i Macron dhe Michel për të krijuar një komunitet politik, i cili mund të përfshijë gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe partnerë nga Lindja, veçanërisht Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, është një thikë me dy tehe dhe nuk është e dobishme në procesin e zgjerimit, të paktën për Ballkani Perëndimor”, ka thënë një tjetër ekspert për BBC në serbisht.

Sipas tij, shumica e vendeve të Ballkanit tashmë kanë ndërmarrë reforma të shumta për të harmonizuar ligjet dhe politikat e brendshme, si dhe janë angazhuar në një sërë marrëveshjesh që ishin gjithashtu të shtrenjta politikisht, duke supozuar se ato bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe jo llojeve të tjera të komunitetit të ofruara nga Macron dhe Michel.

Konkretisht Serbia dhe Kosova u angazhuan në dialog për zgjidhjen e problemeve bilaterale me kushtet për anëtarësim në BE dhe ky ishte faktori kryesor motivues dhe nxitës.

“Ideja për t’iu bashkuar një komuniteti politik apo gjeopolitik do ta bëjë dialogun edhe më sfidues”, tha ai.

“Pas një ndërprerjeje në negociata, Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje për energjinë më 21 qershor”, tha Raportuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak.

Nga Brukseli vijnë shumë mesazhe inkurajuese, por me pak vendime konkrete.

“Ballkani Perëndimor është një prioritet strategjik për BE-në, më shumë se kurrë”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Twitter.

Viola von Cramon-Taubadel, raportuesja e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, tha se nëse Ukraina dhe Moldavia marrin statusin e kandidatëve për anëtarësim në BE, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin diçka, transmeton Radio Evropa e Lirë .

Ajo deklaroi se “rikthimi i besueshmërisë” nënkupton statusin e kandidatit të Bosnje e Hercegovinës për anëtarësim në BE, hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar kushtet për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe Bullgaria i ka bllokuar ato padrejtësisht, por kjo tregon se vendet anëtare të BE-së nuk kanë në fakt një konsensus se çfarë është politika e zgjerimit të BE-së.

Në njërën anë është politizuar shumë dhe shtetet anëtare e përdorin për politikë të brendshme, dhe është tepër teknike, në anën tjetër nga këndvështrimi i Komisionit.

Flash News

News24 Livestream